Në Bosnjë e Hercegovinë, ekipet e shpëtimit kanë vazhduar kërkimet për persona të zhdukur, pas vërshimeve vdekjeprurëse.
Për shkak të shirave dhe rrëshqitjes së dheut të enjten dhe të premten, në Bosnje e Hercegovinë kanë vdekur të paktën 16 persona dhe janë lënduar shumë të tjerë.
Qeveria e Qarkut të Hercegovinës dhe Neretvës (HNK) tha më 5 tetor se 13 trupa të pajetë janë gjetur në territorin e këtij kantoni dhe jo 16, siç ishte thënë një ditë më parë. Autoritetet shpjeguan se tri viktima ishin numëruar dy herë.
Dymbëdhjetë nga viktimat në këtë qark ishin nga Donja Jabllanica dhe një nga Konjiqi.
Në Jabllanicë konsiderohen të zhdukur gjashtë persona dhe katër të tjerë në Konjiq.
Autoritetet në Jabllanicë kanë raportuar për dëme të mëdha materiale, teksa makina të ndërtimit më 5 tetor po punojnë për të larguar gurët dhe rrënojat.
Si pasojë e fatkeqësisë natyre, disa fshatra vazhdojnë të jenë të bllokuara për shkak të dëmeve në infrastrukturën rrugore, raporton REL.
Po ashtu, për shkak të vërshimeve mbajtja e zgjedhjeve lokale në Jabllanicë, Konjiq, Kishelak dhe Kreshevo është shtyrë.
Kështu vendosi më 5 tetor Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnje e Hercegovinës.
Në Fojnica, mbajtja e zgjedhjeve është shtyrë në tri qendra votimi.
Vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve në këto komuna do të merret pasi të plotësohen kushtet për mbajtjen e tyre, thanë autoritetet.
Zgjedhjet lokale në Bosnje janë caktuar për të dielën, më 6 tetor.
Përveç në Bosnje, edhe në shtetet e tjera të rajonit ditëve të fundit ka pasur vërshime, përfshirë në Shqipëri, Mal të Zi dhe Kroaci.