image Vazhdojnë gërmimet në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë

Sociale

Vazhdojnë gërmimet në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë

news image

Po vazhdojnë gërmimet për gjetjen e mbetjeve mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë, në Kizhevak të Rashkës.

Në këtë lokacion gërmimet kishin rifilluar më 5 maj.

“Gërmimet do të vazhdojnë në këtë lokacion edhe javët në vijim, deri në vlerësimin e plotë të tërë lokacionit të shënjuar të varrezës masive dhe zhvarrosjes së të gjithë eshtrave të viktimave të luftës që mund të jenë në këtë lokacion.Pjesë e gërmimeve janë ekspertët mjekoligjorë të Republikës së Kosovës, në emër të Delegacionit të Kosovës në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, krahas ekspertëve të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur dhe institucioneve të Serbisë”, thuhet në njoftimin për media nga Zyra e Kryeministrit.

Sipas njoftimit të shtunën, lokacioni i varrezës masive në Kizhevak, Serbi, është vizituar edhe nga një delegacion i lartë nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq nga Gjeneva të shoqëruar nga përfaqësuesit e dy delegacioneve në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur.

“Ekspertët mjekoligjorë të Republikës së Kosovës, do të vazhdojnë të jenë në lokacionin e varrezës masive deri në përfundim të këtij procesi, në veçanti pas konfirmimit edhe përmes analizës së ADN-së se mbetjet mortore të zhvarrosura në fund të vitit të kaluar iu përkasin viktimave të masakrës së Rrezallës. Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të vazhduar punën duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të pagjeturve, trajtimit më të mirë ligjor dhe institucional familjeve të​ tyre dhe vendosjen e drejtësisë”, thuhet në njoftim. /Gazeta Sinjali/