Në fshatin Lubovec janë varrosur eshtrat e dëshmorit, Remzi Maksuti. Ai ishte vrarë në betejën e 29 majit të vitit 1999 gjatë luftimeve me forcat serbe.
Forcat serbe e kishin zhdukur trupin e tij, kurse dy vjet më parë, është arritur eshtrat e tij u gjetën në varrezat myslimane të Komunës së Mitrovicës, transmeton Gazeta Sinjali.
Ai është identifikuar në bazë të rezultateve të ADN-së. Ushtaraku 25 vjeçar i cili ra dëshmor për lirinë e Kosovës është varrosur me nderime ushtarake. Nëna Zahidja ka deklaruar se ajo kishte pritur 20 vjet për gjetjen e eshtrave të djalit të saj të zhdukur dhe se tani ndjehet më e qetë.
“Më ka ardhur djali këtu, është vra për liri, e ka çliruar vendin, mirë, e kënaqur jam, ishalla në xhenet shkon, shumë mirë, për liri është vrarë”, tha ajo.
Kurse kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari deklaroi se Remzi Maksuti ishte betuar të luftojë për lirinë e Kosovës deri në frymën e fundit.
“Sot 22 vjet pas, po rivarrosim eshtrat e dëshmorit Remzi Maksuti në vendin e lindjes dhe rritjes, në vendin e luftës dhe rënies tij heroike, ku ra për të mos vdekur kurrë.”
“Me këtë ceremoni ushtarake me ushtrinë tonë ne sot me krenari e sukses të plot, po vazhdojmë rrugën e shenjtë të UÇK-së duke qenë në shërbim të vendit dhe sigurisë sonë nacionale. Remzi Maksuti si 25-vjeçar ishte luftëtar shembull, i vendosur, guximtar e i betuar për të luftuar deri më frymën e fundit”, tha Jashari./Gazeta Sinjali/