Të hënën, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, do të marrë mesazhe të drejtpërdrejta dhe të qarta nga Bashkimi Evropian për sa i përket raporteve me Rusinë dhe çështjen e dialogut me Kosovën.
Në orën 10:30, në Beograd, të hënën, Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do ta takojë raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon. Ndërkaq, pasdite, një takim me Presidentin e Serbisë, do ta ketë edhe Komisioneri për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhelyi.
Radio Kosova merr vesh se Presidentit serb, si nga Viola von Cramon, ashtu edhe nga zoti Oliver Varhelyi, do t’i përsëritet qëndrimi i Brukselit, për t’i vendosur sanksione Rusisë dhe për të gjetur një zgjidhje në kuadër të dialogut me Kosovën për temat siç është energjia dhe marrëveshjet tjera të pazbatuara deri më tani.
Burime në Bruksel i thanë Radio Kosovës, se Presidentit serb përgjithësisht do t’i bëhet presion për të punuar në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, që në esencë ka njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Von Cramon disa herë ka shprehur qëndrime kritike ndaj Presidentit të Serbisë dhe Qeverisë së Serbisë për sa i përket Kosovës, ndërsa për këtë ka qenë në shënjestër të mediave serbe shumë herë, duke e shpallur si pro shqiptare dhe lobiste të pavarësisë së Kosovës. Takimet të hënën në Beograd, vijnë pasi Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka zhvilluar të dielën një bisedë telefonike me presidentin rus, Putin, ku sipas njoftimit të vetë Vuçiq, kishin biseduar edhe lidhur me Kosovën.
Vuçiq, gjithashtu u ka thënë mediave se me Presidentin rus janë marrë vesh për të nënshkruar një marrëveshje trevjeçare për furnizimin e Serbisë me gazin rus me çmime të favorshme. Ai ka pranuar për mediet serbe, se të hënën dhe ditëve në vazhdim, Serbia do t’i nënshtrohet një trysnie të fuqishme për sa i përket politikës së jashtme. Ai theksoi se do të dëgjojë çfarë kanë për të thënë Viola von Cramon dhe zoti Varhelyi, sidomos ky i fundit, pasi ai është pjesë e politikave ekzekutive të Bashkimit Evropian si komisionar për fqinjësi dhe zgjerim i Komisionit Evropian.
Vuçiq ka pranuar se ka presion të përditshëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe se Perëndimi po i kërkon që sa më parë të zgjidhë problemin me shqiptarët. Vuçiq theksoi se “Bashkësia ndërkombëtare po vazhdon të insistojë në qëndrimin se rasti i Kosovës është ”sui generis” dhe se “Perëndimi po synon ta detyrojë Serbinë të arrijë marrëveshje me shqiptarët për njohjen e pavarësisë e Kosovës”.