Varësia nga droga në Kosovë sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues të substancave narkotike. Por kjo dukuri nuk po i mban imun as personat që janë prapa grilave. Sikleti për të konsumuar drogë po i detyron ata që të kërkojnë nga të afërmit të veprojnë kundërligjshëm, për t’iu dërguar sasi të ndryshme të narkotikëve.
Kështu ka ndodhur që disa herë muajt e fundit, në Burgun e Dubravës, ku janë zbuluar sasi të ndryshme të substancave narkotike.
Siç mëson Sinjali, edhe në dy ditët e fundit, oficerët korrektues, gjatë bastisjeve brenda hapësirave të burgut, kanë gjetur disa qese me substancë narkotike të llojit marihuanë dhe kokainë.
Sipas burimeve, në dy raste ende nuk dihet se si ka përfunduar droga brenda dhe kush është ai person apo persona të dyshuar, ndërsa droga në rastin e fundit i është kapur një të burgosuri.
Qeset me marihuanë dhe kokainë janë sekuestruar si prova, ndërsa në lidhje me rastin është vënë në dijeni edhe Prokuroria.
Burimet thonë se me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë iniciuar rastet për posedim të paautorizuar të narkotikëve.