Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është zbuluar së fundmi në pikën e kalimit kufitar në Qafë Prush, ku Policia ka arrestuar një person të dyshuar për posedim të narkotikëve.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për një 22-vjeçar, J.Krasniqi, te i cili pas kontrollit policor, u gjet një sasi e drogës, e llojit marihuanë.
I dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku u intervistua nga hetuesit.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj të dyshuarit për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.