Valët e të nxehtit ekstrem mund t’i shkaktojnë ekonomisë italiane humbje vjetore nga 6 deri në 12 miliardë euro, që përbëjnë rreth 0.2 deri në 0.4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ka paralajmëruar të shtunën shoqata italiane e bizneseve, Confesercenti.
Sipas shoqatës, periudhat gjithnjë e më të shpeshta të temperaturave të larta po rrisin kostot e energjisë, po ulin produktivitetin e punëtorëve, po detyrojnë bizneset të investojnë më shumë për t’iu përshtatur kushteve klimatike dhe po ndikojnë negativisht në qarkullimin e sektorëve më të ekspozuar ndaj vapës.
“Jetesa me 30 deri në 60 ditë të vapës intensive çdo vit mund t’i kushtojë ekonomisë italiane nga 6 deri në 12 miliardë euro”, thuhet në vlerësimin e Confesercenti.
Sipas analizës, humbjet përfshijnë rritjen e konsumit të energjisë, uljen e produktivitetit në punë, investimet e detyrueshme për përshtatjen ndaj temperaturave në rritje, si dhe uljen e shpenzimeve të konsumatorëve.
Presidenti i Confesercenti, Nico Gronchi, e cilësoi vapën ekstreme si një “taksë klimatike” që tashmë është shndërruar në një faktor të përhershëm ekonomik.
“Ajo ndikon te investimet, produktiviteti, shpenzimet dhe zakonet e konsumatorëve, përfshirë edhe turizmin”, tha Gronchi.
Ai theksoi se pasojat ekonomike të rritjes së temperaturave nuk mund të përballohen vetëm nga familjet dhe bizneset, duke bërë thirrje për ndërhyrje të mirëfillta institucionale.
“Është një sfidë që nuk mund të tejkalohet duke ia lënë zgjidhjen vetëm familjeve dhe bizneseve. Nevojiten ndërhyrje strukturore”, deklaroi ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!