Shqipëria pritet të përfshihet nga temperatura të larta gjatë javës së ardhshme, me mot kryesisht të kthjellët dhe vlera termike që në disa zona do të ndihen deri në 41 gradë Celsius.
Sipas parashikimeve meteorologjike, fillimi i javës do të karakterizohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike dhe dominim i motit me diell. Megjithatë, gjatë ditëve të martë dhe të mërkurë pritet shtim i vranësirave, të cilat mund të sjellin reshje të izoluara shiu në zonat kodrinore dhe malore.
Temperaturat maksimale do të vijojnë të luhaten rreth 36 deri në 37 gradë Celsius, ndërsa në mesin e javës ndjesia termike mund të arrijë deri në 41 gradë.
Edhe temperaturat minimale do të mbeten të larta, duke zbritur deri në 24 gradë gjatë natës, çka do të sjellë net të ngrohta tropikale në pjesën më të madhe të vendit.
Meteorologët këshillojnë qytetarët të shmangin ekspozimin e zgjatur në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje për t’u mbrojtur nga temperaturat ekstreme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!