image Vala e të nxehtit rrit shqetësimet në Kosovë, mjekët apelojnë për kujdes dhe hidratim

Kosovë

Vala e të nxehtit rrit shqetësimet në Kosovë, mjekët apelojnë për kujdes dhe hidratim

news image

Temperaturat e larta që kanë përfshirë një pjesë të madhe të Evropës kanë shtuar shqetësimet se i njëjti fenomen mund të ndikojë edhe në Kosovë gjatë ditëve në vijim.

Disa shtete evropiane, përfshirë Francën, Italinë dhe Spanjën, po përballen me temperatura rekord që kanë çuar në shpalljen e alarmeve të kuqe dhe kanë rritur numrin e rasteve me probleme shëndetësore të lidhura me të nxehtin ekstrem.

Mjekët në Kosovë paralajmërojnë se ekspozimi në temperatura të larta mund të sjellë komplikime serioze, veçanërisht te personat me sëmundje kronike si hipertensioni dhe diabeti, të cilët konsiderohen ndër grupet më të rrezikuara.

Sipas specialistëve të mjekësisë familjare, më të rrezikuarit nga vala e të nxehtit janë foshnjat, fëmijët dhe personat mbi moshën 65 vjeç. Ata theksojnë se këto kategori duhet të shmangin daljet e panevojshme, sidomos gjatë orëve kur rrezatimi diellor është më i fortë, nga ora 11:00 deri në 17:00.

Po ashtu, qytetarëve u rekomandohet që të konsumojnë sasi të mjaftueshme uji gjatë gjithë ditës, edhe në mungesë të etjes, për të shmangur dehidratimin dhe komplikimet shëndetësore.

Mjekët bëjnë të ditur se rastet më të shpeshta të problemeve shëndetësore nga temperaturat e larta raportohen te personat që punojnë në ambiente të hapura, veçanërisht në sektorin e ndërtimtarisë.

Autoritetet shëndetësore apelojnë për kujdes të shtuar, duke theksuar rëndësinë e masave parandaluese për të shmangur pasojat e valës së të nxehtit që pritet të vazhdojë në rajon.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/