image Vaksinat kundër Covid-19 shpëtuan më shumë se 20 milionë jetë

Shëndetësi

Vaksinat kundër Covid-19 shpëtuan më shumë se 20 milionë jetë

news image

Vaksinat kundër Covid-19 llogaritet se kanë parandaluar vdekjen e më shumë se 20 milionë njerëzve në mbarë botën. Llogaritjet janë bazuar në 12 muajt e parë të vaksinimit.

Është tetë dhjetori i vitit 2020 dhe britanikja Margaret Keenan u bë personi i parë në botë që mori vaksinën kundër koronavirusit. Momentet e vaksinimit me dozën Pfizer/BioNTech nga një spital në Angli u përhapën në krejt botën. Ishte moment vendimtar në betejën kundër pandemisë, duke ngritur shpresën se së paku mjekët mund të kontrollojnë më të keqen e pandemisë.

Menjëherë në muajin janar, u krijua vaksina AstraZeneca në bashkëpunim me Universitetin e Oxfordit. Pasuan vaksinat kineze dhe ajo ruse Sputnik V.

Në fund të muajit qershor, ekspertët kanë llogaritur ndikimin e vaksinave në 12 muajt e parë të fushatës së vaksinimit, nga dhjetori i vitit 2020 deri në dhjetorin e vitit pasues, raporto AssociatedPress.

Modelet matematikore kanë llogaritur se vaksinat kanë parandaluar 19.8 milionë nga 31.4 milionë vdekje të mundshme. Numri i vdekjeve të parandaluara ishte më i madh në shtetet e pasura me një llogari 12 milionë nga 20 milionë vdekje të mundshme.

Ekspertët kanë vlerësuar se numri i madh i jetëve të shpëtuara në shtetet e pasura është arritur për shkak se ato kanë siguruar më shpejtë vaksinat më efektive.

Përpjekja, megjithëse e dëmtuar nga pabarazitë e vazhdueshme, parandaloi vdekjet në një shkallë të paimagjinueshme, tha Oliver Watson nga Imperial College London, i cili drejtoi studimin e ri për vaksinat.

“Gjetjet përcaktojnë se sa më e keqe mund të kishte qenë pandemia nëse nuk do t’i kishim këto vaksina”, ka thënë Watson.

Studiuesit përdorën të dhëna nga 185 vende për të vlerësuar se vaksinat parandaluan 4,2 milionë vdekje nga COVID-19 në Indi, 1,9 milion në Shtetet e Bashkuara, 1 milion në Brazil, 631,000 në Francë dhe 507,000 në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas studimit të botuar të enjten në revistën “Lancet Infectious Diseases”, do të ishin parandaluar 600,000 vdekje të tjera nëse objektivi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për mbulimin e vaksinimit prej 40% deri në fund të vitit 2021, do të ishte përmbushur.

Shkencëtarët londinezë përjashtuan Kinën nga studimi për shkak të pasigurisë rreth efektit të pandemisë në vdekjet atje dhe popullsinë e saj të madhe.

Gjetjet nënvizojnë arritjet dhe mangësitë e fushatës së vaksinimit, tha Adam Finn nga Shkolla Mjekësore e Bristol në Angli, i cili nuk ishte i përfshirë në studim.

“Edhe pse ne dolëm mjaft mirë këtë herë – ne shpëtuam miliona e miliona jetë, mund të kishim bërë më mirë dhe duhet të bëjmë më mirë në të ardhmen”, ka thënë Finn.

Studimi ka kufizime të tjera. Studiuesit nuk përfshinë faktin se si virusi mund të ketë pësuar mutacione në mungesë të vaksinave. Dhe ata nuk morën parasysh faktin se si mund të kishin ndryshuar bllokimet ose mbajtja e maskave nëse vaksinat nuk do të ishin të disponueshme.

/GazetaSinjali/