image “Vajza urinon në shtrat”, arsyeja që e mbajti në Britani shqiptarin e dënuar për drogë

Evropë

“Vajza urinon në shtrat”, arsyeja që e mbajti në Britani shqiptarin e dënuar për drogë

news image

Një shtetas shqiptar që ishte dënuar për përfshirje në vepra të rënda penale ka arritur të qëndrojë përkohësisht në Mbretërinë e Bashkuar pas një beteje ligjore ku në qendër ishte gjendja emocionale e vajzës së tij.

Bëhet fjalë për 38-vjeçarin Shpresim Koka, i cili kishte argumentuar para gjykatës se largimi i tij nga Britania do të kishte pasoja të rënda për vajzën e tij, e cila përballet me probleme emocionale dhe kishte nevojë për mbështetje profesionale.

Sipas dokumenteve gjyqësore, vajza e tij kishte pasur vështirësi të theksuara gjatë periudhës kur ai ndodhej në burg, përfshirë edhe probleme me urinimin e pavullnetshëm gjatë natës.

Koka kishte hyrë në Britani në vitin 2001, kur ishte 14-vjeçar, duke deklaruar se kishte ardhur si refugjat nga Kosova. Në vitin 2017 ai ishte dënuar me 21 muaj burg për përfshirje në një skemë të pastrimit të parave që lidhej me trafik të drogës.

Pas përfundimit të dënimit, autoritetet britanike kishin nisur procedurat për largimin e tij nga vendi, por ai më vonë ishte dënuar sërish, kësaj radhe me tre vjet burg për trafikim kokaine.

Në shkurt të vitit 2025, një gjykatë për çështje të emigracionit kishte vendosur kundër dëbimit të tij, duke vlerësuar se largimi do të sillte pasoja të rënda për vajzën e tij.

Megjithatë, Ministria e Brendshme britanike e kishte kundërshtuar këtë vendim dhe së fundmi një gjyqtar ka vendosur ta rrëzojë atë, duke konstatuar se vendimi i mëparshëm kishte përmbajtur gabime në interpretimin dhe zbatimin e ligjit.

Çështja pritet të vazhdojë përmes procedurave të mëtejshme ligjore në lidhje me qëndrimin e tij në Mbretërinë e Bashkuar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/