image Ushtari i FSK-së për ngjarjen në Shëngjin: Nëna po e mbante vajzën mbi kokë për ta shpëtuar

Sociale

Ushtari i FSK-së për ngjarjen në Shëngjin: Nëna po e mbante vajzën mbi kokë për ta shpëtuar

news image

Oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, nënkolonel Bexhet Shala teksa po shijonte pushimet me familjen e tij në plazhin e Shëngjinit, arriti që sot gjatë ditës të kryej një akt heroik duke shpëtuar një gruan së bashku me vajzën e saj nga mbytja.

Siç bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes, Shala për veprimin e tij ka thënë se e ka detyrë e mision të ushtarakëve.

“Unë kam bërë vetëm detyrën. Ne si ushtarakë të FSK-së, e kemi mision që çdo herë të jemi në gatishmëri për tu përgjigjur situatave që kërkohen që të jemi të gatshëm të ndihmojmë këdo, pa dallim, deri në vetëmohim”, ka theksuar nënkolonel Bexhet Shala.

I njëjti për “Info Magazine” ka treguar disa detaje se s’i ka rrjedhur ngjarja, duke thënë se kontaktin e parë kur e kishte vërejtur gjendjen, e kishte me vajzën, pasi siç tregon ai, nëna e saj pothuajse ishte dorëzuar.

“Në një distancë prej 70 metra kam bërë një not të tipit sprint dhe kam arritur tek vendi i ngjarjes ku po ndodhte situata”.

“Kontaktin e parë kur kam arritur e kam bërë me vajzën dhe vazhdimisht komunikoja me ta pasi vazhdimisht qëndronte mbi kokën e nënës së saj, pasi nëna e saj pothuajse ishte dorëzuar dhe po qëndronte në thellësi të ujit në pamundësi për të dalë jashtë”, tha Shala.

Tutje, Shala tha se për ta nxjerr nënën e vajzës nga balta që kishte ngecur në thellësi të detit i janë dashur tri tentime.

“Kam bërë tentime që ta tërheq nënën e saj, por tentimi i parë ishte i pamundur sepse ajo ishte ngulitur në një thellësi të detit që ishte në një lloj balte dhe ishte e pamundur që të nxirrej në tentimin e parë. Edhe tentimi i dytë ka qenë i pamundur”.

“Ndërsa, në tentimin e tretë, iu kam lutur Zotit të më jap forcë, dhe kur kam arritur që t’i pozicionoj duart në krahët e saj, pas këtij tentimi kam vërejtur se ajo po fillonte të dilte nga uji”, tha nënkoloneli Bexhet Shala.

/GazetaSinjali/