image Ushtarët rusë në Ukrainë pa radiolidhje

Botë

Ushtarët rusë në Ukrainë pa radiolidhje

news image

“Nuk kemi asnjë komunikim. Nuk kemi radiolidhje. Asgjë”, u thotë një ushtar rus personave që e marrin në pyetje. Kështu bëhet e ditur përmes një videoje të re të publikuar në YouTube gjatë këtij muaji nga mbrojtësit ukrainas.

Në katër javët e para të luftës, deklarata të tilla, së bashku me bisedat e përgjuara, pajisjet e kapura dhe fotografitë e radiolidhjeve të lira sugjerojnë se pamundësia për të komunikuar – në zinxhirin e komandës dhe përgjatë degëve të ushtrisë ruse – po pengojnë planet e luftës së Moskës.

Përderisa fati i një ushtrie mund të luhatet shpejt, madje edhe në ofensiva të mëdha sikurse ajo e nisur nga presidenti rus, Vladimir Putin, më 24 shkurt për të “çmilitarizuar” dhe gjunjëzuar Ukrainën, shumë ekspertë ushtarakë perëndimorë sugjerojnë se Kremlini dhe planifikuesit e tij dështuan në aspektet kryesore në javët e para të pushtimit.

Ushtarët rusë në një pikëkontrolli pranë fshatit Nadarbazevi të Gjeorgjisë. Tetor, 2008.

Në rastin e Rusisë, situata e vështirë është shfaqur gjatë 24 ditëve të para të kësaj lufte, bazuar në deklaratat e ushtarëve të zënë rob, bisedave të përgjuara dhe të dhënave të tjera të publikuara nga inteligjenca ukrainase ose nga të tjerët që janë të etur të nxjerrin në pah dobësitë e forcave pushtuese, që janë më të mëdha në numër. Po ashtu, ka raporte që sugjerojnë për një telefonatë të bërë përmes kanaleve të pasigurta që mund t’i kenë ndihmuar forcat ukrainase të shënjestrojnë një prej gjeneralëve rusë të vrarë në konflikt. Deri më tani, Ukraina ka pretenduar se ka vrarë pesë gjeneralë rusë dhe një oficer të lartë të marinës.

Të dhënat sugjerojnë se disa nga rrënjët e gabimeve të komunikimit në palën ruse qëndrojnë në proceset e keqmenaxhuara të prokurimit për blerjen e pajisjeve si radiot taktike ushtarake, specialistët e patrajnuar dhe sfidat e operimit në një tokë të huaj, ku armiku kontrollon jo vetëm rrjetet celulare, por edhe komunikimet me tela që shpesh shërbejnë si një kanal rezervë i besueshëm, shkruan REL.

Një ushtar rus duke mbajtur në duar radion Azart.

Një prej rezultateve ka qenë kompleksiteti i ndryshëm midis sistemeve të përdorura nga trupat me komunikim me zë dhe komunikimeve me të dhëna, duke shumëfishuar sfidat, pasi ato përfshijnë forca të përziera ajrore, tokësore dhe detare. Në raste të tilla, trupat detyrohen të përdorin një sistem më të zakonshëm për një pjesë të ushtrisë që është më pak e avancuar.

“Nëse formoni një formacion të përzier dhe pjesë të atij formacioni përbëhen nga makina të vjetra si ato të Divizionit të 90-të [të Tankut të Rojeve]”, siç janë ato që janë parë duke iu afruar së fundmi Kievit, tha Stanimir Dober, një ekspert i pavarur ushtarak, i specializuar në telekomunikime, “ju duhet t’i drejtoni tek emëruesi më i ulët”.

Me fjalë të tjera, përzierja e të ashtuquajturave sisteme të hapura dhe të koduara, i bën ato po aq të forta sa hallka e tyre më e dobët.

Disa prej pajisjeve më të vjetra të forcave ruse, tha Dobrev “mund të deshifrohen pothuajse në kohë reale dhe kështu që nuk është e nevojshme të shtohen shtresa shtesë të kompleksitetit për të operuar me këto pajisje, që nuk sjellin shumë përfitim”.

Ai tha se këta dhe faktorë të tjerë potencialë tregojnë se përse ofensiva tokësore e Rusisë ka ngecur dhe operacionet ajrore bëhen më pak efektive me kalimin e kohës, pasi shënjestrat e identifikuara, për të cilat rusët kanë komunikuar në fillim, Forcat Ajrore ruse, veçse kanë lëvizur.

/GazetaSinjali/