image Ushtarët e FSK-së vendosen në pronat e Aeroportit të Dumoshit

Kosovë

Ushtarët e FSK-së vendosen në pronat e Aeroportit të Dumoshit

news image

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës kanë bërë të ditur se nga sot kanë marrë në menaxhim pronat e Aeroportit të Dumoshit, të cilat i quajtën pika strategjike për rritjen e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se vendosja e ushtarëve të FSK-së në pronat e Aeroportit të Dumoshit është një zhvillim domethënës për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, teksa shtoi se kjo datë përkon edhe me ditëlindjen e Heroit të Kosovës, strategut dhe inspiruesit të luftës çlirimtare, Zahir Pajaziti.

“Ky hap forcon praninë e FSK-së në regjionin e Llapit dhe Gollakut, duke ofruar siguri shtesë për banorët e kësaj ane, mbështetje më të mirë e më të shpejtë për reagime, si dhe për operacione në rast të emergjencave civile”,  tha Maqedonci.

Ai shtoi se ky vendim tregon angazhimin e institucioneve të Kosovës për të fuqizuar kapacitetet ushtarake dhe për të kontribuar në një mjedis më të sigurt.

/GazetaSinjali/