Regjimenti i Tretë i Forcave Tokësore të FSK-së ka përmbyllur me sukses një patrullë luftarake në terren, ku kanë marrë pjesë 9 skuadra të Kompanisë së Këmbësorisë.
Ushtrimi është zhvilluar në një distancë prej 28 kilometrash dhe ka përfshirë shtatë stacione me detyra të ndryshme taktike.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Forca e Sigurisë së Kosovës përmes një njoftimi, ku theksohet se qëllimi i kësaj patrulle ka qenë ngritja e kapaciteteve operacionale të trupave dhe përgatitja për situata të ndryshme në terren.
“Gjatë patrullës, secila skuadër ka kaluar përmes stacioneve duke kryer detyra të ndryshme, përfshirë brifimin e URDHOP, trajtimin taktik mjekësor në fushëbetejë (TCCC), MKAB, njohjen e aseteve të armikut, sulmin me skuadër, trajtimin e robërve të luftës (C-PERS), kryerjen e rikonicionit, reagimin ndaj dronëve, si dhe bartjen e viktimës”, thuhet në njoftim.
FSK thekson se stërvitje të tilla janë pjesë e vazhdueshme e planit për rritjen e profesionalizmit dhe përputhshmërisë me standardet e vendeve partnere.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!