Universiteti i Prishtinës ka hapur sot konkursin për pranimin e studentëve të rinj në nivelin bachelor për vitin akademik 2026/2027.
Institucioni më i madh publik i arsimit të lartë në Kosovë këtë vit do të ofrojë 5,663 vende studimi, të shpërndara në dhjetëra programe akademike të rishikuara dhe të riakredituara, të përshtatura me nevojat e tregut të punës dhe standardet e reja të cilësisë në arsimin e lartë.
Një nga risitë e këtij viti është ndarja e 4 për qind të kuotave për kategori të veçanta të aplikuesve nga jashtë Kosovës. Këto vende do të rezervohen për diasporën shqiptare, arbëreshët e Italisë, arbneshët e Zarës dhe shqiptarët me prejardhje nga Kosova që jetojnë jashtë vendit.
Ndërkohë, Universiteti i Prishtinës ka bërë të ditur se në nivelin master planifikon të regjistrojë rreth 2,600 studentë, ndërsa në disa programe kuotat janë zvogëluar për të rritur cilësinë e mësimdhënies, punës praktike dhe hulumtimit shkencor.
Edhe këtë vit, studimet në Universitetin e Prishtinës do të vazhdojnë të jenë pa pagesë, ndërsa studentët me rezultate të larta do të mbështeten përmes programeve të bursave.
Konkursi është i hapur duke filluar nga sot, ndërsa kandidatët mund të aplikojnë sipas afateve dhe procedurave të përcaktuara nga Universiteti i Prishtinës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!