image UNICEF reagon pas sulmit seksual ndaj të miturës në Prishtinë: Të tregohet zero tolerancë ndaj abuzimeve seksuale në shkolla - Sinjali

COVID-19

Të infektuar

107629

Të shëruar

105200

Të vdekur

2250

UNICEF reagon pas sulmit seksual ndaj të miturës në Prishtinë: Të tregohet zero tolerancë ndaj abuzimeve seksuale në shkolla

news image

Zyra e UNICEF-it në Kosovë ka reaguar pas raportimeve rreth abuzimit të një vajze të mitur në hapësirat shkollore në Prishtinë, shkruan Gazeta Sinjali.

Përmes një reagimi, UNICEF tha se një abuzim i tillë ndaj një fëmije është i papranueshëm si dhe përbën një shkelje të rëndë të të drejtave themelore të fëmijëve.

“Sipas Konventës së të Drejtave të Fëmijës, çdo fëmijë duhet të ndihet i sigurt dhe i mbrojtur. Për më tepër, të gjitha institucionet, siç përcaktohet në Ligjin e Kosovës për Mbrojtjen e Fëmijës, duhet të marrin të gjitha masat e duhura legjislative, administrative, sociale dhe arsimore për të mbrojtur një fëmijë nga të gjitha format e dhunës fizike ose psikike, verbale, abuzimi, keqtrajtimi, shfrytëzimi, ndëshkimi trupor, neglizhenca, ose ndonjë formë tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin dhe zhvillimin e fëmijës”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Sipas UNICEF-it, ruajtja e një fëmije është përgjegjësi e të gjithëve, përfshirë ata që punojnë në shkolla dhe mjedise arsimore që janë veçanërisht në pozitë të duhur për të identifikuar dhe parandaluar abuzimin.

“Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës, i cili u miratua nga Kuvendi i Kosovës në korrik të vitit 2019 përfaqësoi një arritje të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve duke vendosur bazën ligjore për garantimin dhe mbrojtjen e fëmijëve nga të gjitha format e dhunës fizike dhe psikike, abuzimi, shfrytëzimi, neglizhenca ose ndonjë formë tjetër që rrezikon jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin dhe zhvillimin e tyre. Megjithatë, sipas të dhënave të Anketave të Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë (MICS) 2020, një pjesë e madhe e fëmijëve (72 për qind) në Kosovë raportohet të kenë përjetuar ndonjë lloj të dhunës. Në përgjithësi, 30 për qind e fëmijëve të moshës 1-14 vjeç kanë përjetuar ndëshkim fizik dhe në mesin e tyre gjashtë për qind kanë përjetuar ndëshkim të rëndë fizik”, thuhet tutje.

Për më tepër, UNICEF ka thënë se të gjithë fëmijët duhet të kenë të drejtën të gëzojnë të drejtën për shkollim, të ndjekin mësimet e tyre dhe të mësojnë pa frikë dhe dhunë dhe të shoqërohen me moshatarët e tyre duke u ndjerë të sigurt dhe të mbrojtur.

“Ne kërkojmë nga të gjitha institucionet që të avancojnë dhe zbatojnë Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës si një mjet për të ndihmuar të gjitha vajzat dhe djemtë në Kosovë të gëzojnë të drejtën e tyre për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm dhe jo të dhunshëm. Ne gjithashtu u bëjmë thirrje mediave që të mos raportojnë identitetet e fëmijëve dhe familjeve të tyre. Informimi dhe komunikimi publik duhet të ndihmojë në zhdukjen e kulturës së dhunës seksuale, abuzimit dhe çdo lloj ngacmimi dhe të ndihmojë në mbrojtjen e fëmijëve”, thuhet në njoftim./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin