Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Rifat Latifi, është duke raportuar para deputetëve të Kuvendit në Komisionin për Shëndetësi, raporton Gazeta Sinjali.
Latifi ka deklaruar se kushtet infrastrukturore në Klinikën e Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë të rënda.
Sipas tij, edhe deputetët duhet të shkojnë dhe të shohin nga afër gjendjen që sipas tij është tmerruese.
“Ju kisha lutur të gjithë deputetëve, shkoni në Psikiatri!”, tha Latifi, gjë që shkaktoi të qeshura në Komision, derisa deputetët i thënë Latifit nëse po u thotë të shkojnë atje në cilësinë e pacientëve.
“Si pacientë a?”, tha njëri nga anëtarët e Komisionit.
“Po ju them të shkoni si vrojtues, si doktorë, si përfaqësues të popullit të Kosovës. Unë jam tmerruar. Nëse uji rrjedh nga tavani i ndërtesës dhe bien afër rrymës dhe pacientët dhe punëtorët shëndetësorë kalojnë aty afër dhe ne i mbyllim sytë para saj? Dje e kam dërguar një ekip të ushtrisë amerikane për të vlerësuar që të bëjmë rindërtimin e asaj ndërtese”, tha Latifi.