Ukraina dhe Rusia kanë realizuar një tjetër shkëmbim të të burgosurve të luftës, ku secila palë ka liruar nga 185 pjesëtarë të forcave të saj, kanë bërë të ditur zyrtarët e të dy vendeve.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha se shumica e ushtarëve ukrainas të kthyer kanë qenë në robëri ruse që nga viti 2022, raportoi agjencia e lajmeve Reuters.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës bëri të ditur se personi më i moshuar i liruar në këtë shkëmbim është 62 vjeç.
Ky është shkëmbimi i dytë i të burgosurve në kuadër të marrëveshjes mes Ukrainës dhe Rusisë për lirimin e gjithsej 1.000 të burgosurve të luftës nga secila palë, si pjesë e armëpushimit treditor të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara në fillim të muajit maj.
Në ndërmjetësimin e procesit kanë marrë pjesë edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat kanë ndihmuar edhe në shkëmbimet e mëparshme, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Rusisë përmes një postimi në Telegram.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!