image Ukraina dhe Moldavia gati të hapin një tjetër grup bisedimesh për anëtarësim në BE

Botë

Ukraina dhe Moldavia gati të hapin një tjetër grup bisedimesh për anëtarësim në BE

news image

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord unanimisht për të nisur procesin e hapjes së një tjetër grup-kapitulli të negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë.

Bëhet fjalë për kapitullin e gjashtë, i cili lidhet me marrëdhëniet e jashtme, politikën e jashtme dhe çështjet e sigurisë.

Hapja formale e këtij kapitulli pritet të zhvillohet më 14 korrik gjatë një Konference Ndërqeveritare, raporton Euronews, transmeton Sinjali.

Ky zhvillim konsiderohet një tjetër hap i rëndësishëm në rrugën e Ukrainës dhe Moldavisë drejt anëtarësimit në BE, ndërsa pason ndryshimet politike në Hungari, ku qeveria e re e udhëhequr nga Péter Magyar ka zbutur qëndrimin e mëparshëm të Budapestit ndaj procesit të anëtarësimit të Ukrainës.

Ish-kryeministri Viktor Orbán kishte bllokuar për vite të tëra avancimin e negociatave me Kievin, për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me trajtimin e pakicës hungareze në perëndim të Ukrainës. Megjithatë, qeveria e re hungareze ka bashkëpunuar me autoritetet ukrainase për të gjetur një zgjidhje, duke mundësuar hapjen e grup-kapitullit të parë në fillim të muajit qershor.

Komisioni Evropian dhe Ukraina kishin bërë thirrje për hapjen e pesë kapitujve të mbetur para pushimeve verore, si sinjal i vullnetit politik për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit. Megjithatë, Budapesti ka preferuar një qasje më graduale, për shkak të konsideratave të brendshme politike.

Presidenca irlandeze e Këshillit të BE-së, e cila mori detyrën më 1 korrik, ka propozuar hapjen e kapitujve një nga një, një qasje që tashmë duket se po jep rezultate.

Vendimi i së premtes përfshin dërgimin e të ashtuquajturës “letër shqyrtimi”, e cila përmbyll analizën e legjislacionit të vendeve kandidate dhe përputhshmërinë e tij me kuadrin ligjor të Bashkimit Evropian.

Pozicioni i përbashkët i BE-së për finalizimin e hapjes së kapitullit të gjashtë pritet të miratohet më 13 korrik, ndërsa ceremonia zyrtare e hapjes do të mbahet një ditë më vonë, më 14 korrik.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/