image Ukraina: Çmimi tavan ndaj naftës ruse të ulet në 30 dollarë për një fuçi

Evropë

Ukraina: Çmimi tavan ndaj naftës ruse të ulet në 30 dollarë për një fuçi

news image

Ukraina përshëndeti vendosjen e çmimit tavan ndaj naftës ruse prej 60 dollarësh për një fuçi, por tha se ky çmim duhet të ulet në 30 dollarë për të goditur edhe më shumë ekonominë ruse.

“Ne e arrijmë gjithmonë qëllimin tonë dhe ekonomia e Rusisë do të shkatërrohet, ajo do të paguajë dhe do të jetë përgjegjëse për të gjitha krimet e saj”, tha shefi i shtabit të presidentit ukrainas, Andriy Yermak, në Telegram.

“Por do të ishte e nevojshme që tavani të ulet në 30 dollarë për të shkatërruar më shpejt ekonominë e armikut”, shtoi Yermak.

Çmimi tavan u miratua zyrtarisht nga aleatët perëndimorë më 2 dhjetor dhe erdhi pas disa muajsh punë.

Kjo masë ndalon shtetet që të paguajnë më shumë se 60 dollarë për një fuçi për eksportet e naftës së papërpunuar ruse, që transportohet përmes detit.

Të premten, Bashkimi Evropian miratoi çmimin tavan – që kërkonte miratimin e të gjitha shteteve anëtare – pasi bindi Poloninë që të mbështeste këtë masë.

/GazetaSinjali/