image Udhëheqësi suprem i Iranit kërcënon Izraelin dhe SHBA 

Botë

Udhëheqësi suprem i Iranit kërcënon Izraelin dhe SHBA 

news image

Udhëheqësi suprem i Iranit kërcënoi të shtunën Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara se do të marrin siç tha një “përgjigje shkatërruese” lidhur me sulmet ndaj Iranit dhe aleatëve të tij. Këto kërcënime vijnë ndërsa grupi militant Hezbollah në Liban lëshoi me dhjetëra raketa ndaj Izraelit. Ndërkohë të premten Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin urdhëroi dërgimin e disa avionëve bombardues shtesë dhe luftëanijeve në Lindjen e Mesme për të forcuar praninë amerikane në rajon.

Një sulm me raketa nga grupi militant Hezbollah në qytetin Tira të Izraelit plagosi disa persona. Sirenat që paralajmëronin sulme ajore u dëgjuan në të gjithë Izraelin të shtunën, ndërsa dhjetëra raketa të lëshuara nga grupi militant u rrëzuan nga mbrojtja ajrore izraelite.

Grupi militant Hezbollah, i mbështetur nga Irani, tha se kishte sulmuar me raketa dy baza të ushtrisë izraelite, një në Glilot pranë Tel Avivit dhe bazën ajrore në Palmachim.

Por ushtria izraelite nuk ka konfirmuar asnjë nga sulmet e pretenduara ndaj bazave ushtarake. Sulmet e së shtunës sipas analistëve mund të jenë një paralajmërim për një sulm më rëndë kundër Izraelit.

Ayatollah Ali Khamenei, udhëheqësi suprem i Iranit, kërcënoi Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se Teherahi do t’i përgjigjet sulmeve ajrore të Izraelit të 26 tetorit, që goditën bazat ushtarake të Republikës Islamike.

“Armiqtë, qofshin regjimi zionist apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës, patjetër do të marrin një përgjigje shkatërrimtare ndaj asaj që po i bëjnë Iranit, kombit iranian dhe frontit të rezistencës”, tha Khamenei.

Një sulm tjetër nga Irani, i cili tashmë ka kryer dy sulme të drejtpërdrejta kundër Izraelit këtë vit, mund ta fusë Lindjen e Mesme sipas analistëve në një konflikt më të gjerë. Izraeli tashmë po lufton me grupin militant Hamas të mbështetur nga Irani në Rripin e Gazës dhe Hezbollahun në Liban.

Të premten Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin urdhëroi dërgimin e disa avionëve bombardues shtesë dhe luftë-anije në Lindjen e Mesme për të forcuar praninë e SHBA-së në rajon, njoftuan katër zyrtarë amerikanë. Këto zhvillime vijnë ndërsa lufta mes Izraelit me Hamasin në Gazë dhe Hezbollahun në Liban është ndezur, si dhe pas sulmit hakmarrës të Izraelit ndaj Iranit, një javë më parë, që me gjasë dëmtoi një bazë që prodhon dhe lëshon raketa balistike, si pjesë e programit hapësinor të Teheranit.

Lufta e Izraelit kundër Hezbollahut e ka dobësuar grupin militant, por gjithashtu ka shkaktuar dëme të mëdha në Libanin jugor e pjesë të tjera të vendit.

Që nga shpërthimi i konfliktit mes Izraelit dhe Hezbollahut, më shumë se 2800 persona janë vrarë dhe mbi 13 mijë janë plagosur në Liban, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë libaneze.

Agjencitë e Kombeve të Bashkuara vlerësojnë se operacionet tokësore të Izraelit dhe bombardimet kanë detyruar zhvendosjen e 1.4 milionë njerëz.

Banorët e komuniteteve veriore të Izraelit pranë Libanit, afërsisht 60 mijë persona, janë zhvendosur gjithashtu përgjatë më shumë se një viti.

Nga ana tjetër Izraeli e ka përforcuar ofensivën e tij kundër luftëtarëve të Hamasit në Gazë, duke ngritur shqetësime rreth kushteve humanitare në të cilat ndodhen civilët atje.

Lufta e Izraelit në Gazë ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 43 mijë palestinezë që nga 7 tetori i vitit 2023, kur si pasojë e një sulmi terrorist nga militantët e Hamasit u vranë 1200 persona në Izrael dhe morën peng rreth 250 të tjerë.

Zyrtarët e shëndetësisë në Gazën që kontrollohet nga Hamasi nuk bëjnë dallim mes viktimave civilë e luftëtarëve, por thonë se më shumë se gjysma e të vrarëve janë gra dhe fëmijë./VOA/

/GazetaSinjali/