Fotografi i njohur zviceran, René Robert, ka ndërruar jetë pasi kaloi nëntë orë pa vetëdije në një rrugë në qendër të Parisit.
René Robert, fotograf zviceran i njohur për fotografitë e tij të disa prej yjeve më të famshëm të flamenkos të Spanjës, vdiq javën e kaluar pasi rrëshqiti gjatë një shëtitjeje natën rreth lagjes ku jetonte.
Sipas mikut të tij, gazetarit Michel Mompontet, Roberti u rrëzua në Rue de Turbigo, mes Place de la République dhe Les Halles.
“Në pamundësi për t’u ngritur, ai qëndroi i rrënjosur në vend në të ftohtë për nëntë orë derisa një person i pastrehë thirri shërbimet e urgjencës. Shumë vonë. Ai kishte hipotermi dhe nuk mund të kapej pas jetës. Gjatë këtyre nëntë orëve asnjë kalimtar nuk u ndal për të parë pse ky njeri ishte shtrirë në trotuar. Asnjë”, ka shkruar Mompontet.
Vdekja, e cila ndodhi në një zonë të Parisit ku flenë shumë njerëz të pastrehë, ka ndezur debat rreth përgjegjësisë qytetare dhe mirësjelljes themelore njerëzore.
Një titull në Le Figaro thoshte : “Fotografi René Robert, i vdekur nga indiferenca në mesi të rrugës”.
Sipas shoqatave të të pastrehëve, 600 njerëz vdesin në rrugët e Francës çdo vit.