Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, ka shqiptuar dënim me tetë muaj burgim me kusht për të akuzuarin për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, Ardit Tafilaj.
Por, ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse në periudhë verifikuese prej një viti, i pandehuri nuk kryen vepra të tjera penale.
Gjyqtari Arben Mustafaj tha se i akuzuari obligohet që në emër të shpenzimeve procedurale, të paguajë shumën prej 70 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi Arben Mustafaj, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet.
I akuzuari ka shprehur keqardhje për rastin, duke shtuar se është hera e parë që bie ndesh me ligjin.
“I kam rënë pishman për rastin. Të dëmtuarit i kam kërkuar falje, dhe jam munduar t’i rregulloj raportet me të”, tha i akuzuari Tafilaj.
Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurori Muharrem Bajraktari, i cila tha se, pranimi i fajësisë ka mbështetje në provat që gjenden në shkresat e lëndës, duke i propozuar gjykatës që kjo të merret si rrethanë lehtësuese.
Sipas aktakuzës, më 03 prill 2019, rreth orës 13:30, në fshatin Rakosh, Komuna e Istogut, në oborrin e shkollës fillore “Ndre Mjeda”, me dashje dhe me mjet të përshtatshëm për shkaktim të lëndimit të rëndë trupor, i pandehuri i ka shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit Florian Haxhijaj.
Aktakuza precizon, se përderisa i pandehuri dhe i dëmtuari kanë qenë kundërshtarë në lojën e futbollit, dhe i dëmtuari iu ka drejtuar të pandehurit me fjalët “a mundësh me lujtë mirë pa na goditë”, me ç’rast i pandehuri fillimisht i drejtohet të dëmtuarit me fjalët “kush k… je ti”, e më pas ka shkuar në shtëpinë e tij, nga ku ka marrë një kmesë, me të cilën me tu kthyer e ka sulmuar fizikisht të dëmtuarin.
Në aktakuzë thuhet se, i pandehuri e ka goditur në krahun e majtë dhe në këmbë e djathtë, ku si pasojë e goditjeve i pandehuri i shkakton lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Haxhijaj.
Ai akuzohet se ka kryer veprën penale “lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 188 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.