Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka dalë me një reagim pasi në media u raportua se Blloku B2 i Termocentralit Kosova B, nuk është duke prodhuar më kapacitet të plotë, të paktën siç ka prodhuar vitin e kaluar, apo para pak muajve. Po ashtu u raportua se pas kthimit nga renovimi vjetorë, ky Bllok, është duke prodhuar fiks 199 MWh, dhe jo 250 MW ashtu siç ka prodhuar pak javë më parë.
KEK-u ka demantuar raportimet në fjalë duke thënë se këto spekulime kanë efekt negativ në gatishmërinë dhe vullnetin e punëtorëve që bëjnë maksimumin në operimin e njësive prodhuese dhe për të siguruar energji elektrike për qytetarët e vendit, përcjell Sinjali.
“Njësia B-2 ka realizuar remontin e rregullt vjetorë në Gusht të këtij viti. Ky remonti është bërë me pjesëmarrjen në inspektim në punët në turbinë nga ekspertët e kompanisë General Eletric (GE). Inspektimi ka rezultuar me disa të gjetura të cilat janë eliminuar. Remonti është bërë po ashtu nën mbikëqyrjen e ekipit të GE.
Për sigurinë e operimit të turbinës në njësinë B2, ekspertët e GE kanë rekomanduar kufizim të ngarkesës në operim, i cili pritet që të rritet pas aktivizimit të sistemit të ko-gjenerimit me 15 tetor”, thuhet në reagim.