image U raportua se shpërbleu djalin e kunatin me mijëra euro, zyrtarja e VV-së: Nuk mund t'i jap para askujt, s'mund të marr as për veten

Politikë

U raportua se shpërbleu djalin e kunatin me mijëra euro, zyrtarja e VV-së: Nuk mund t’i jap para askujt, s’mund të marr as për veten

news image

Të hënën u raportua se zyrtarja për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Gjilanit, Enkelejda Arifi ka ndarë projekte për familjarët e sak, duke e shpërblyer djalin dhe kunatin me mbi 7500 euro. Përveç raportimeve, edhe organizata joqeveritare “KrudoKultura”, ka shprehur shqetësim për siç thonë ata manipulimin me fonde për mbështetje financiare të OJQ-ve apo individëve në komunën e Gjilanit.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Enkelejda Arifin, për të marrë një deklaratë lidhur me raportimet ku është lakuar emri i saj. Arifi ka thënë se procesi për ndarjen e subvencioneve nuk ka përfunduar ende, teksa ka refuzuar të përgjigjet për lidhjen e saj familjare me Blendi Arifin dhe Mehmetali Arifin.

Ajo tha për Sinjalin se “nuk kanë të bëjë asgjë” raportimet se i ka shpërblyer djalin dhe kunatin e saj, teksa ka shtuar se këtë nuk mund të flas në emër të institucionit.

“Nuk ka përfunduar procesi ende. Ka qenë një listë preliminare, 5 ditë ka pasur afat për ankesa, e  cila mbaron sot dhe nga sot komisioni i ankesave shqyrton ankesat dhe del me listën përfundimtare. Është çështje institucionale.

Nuk ka të bëjë farë kjo gjë. Sa i përket individëve që shkruajnë dhe nxjerrin lajme të tilla unë nuk mund të flas në emër të institucionit dhe komisionit, atë e bëjnë eprorët, e bëjnë zyrtarët. Unë flas për emrin tim personal, për ata që shkruajnë për mua është duke u kujdesu avokati im”, tha Arifi për Sinjali.

Kur u pyet se a është pjesë e komisionit, Arifi hezitoi të përgjigjet. Megjithatë pas insistimit të Sinjalit për të marrë një përgjigje, ajo tha se është pjesë e komisionit, por “s’mund të marrë para as për veten”

“A keni qenë pjesë e komisionit?-Të thash edhe 1 herë, ky është komenti im, kaq mund të të jap tani. Nuk mund të flas asgjë më tepër.

“A duhet të mbahet fshehur prej publikut nëse jeni pjesë e komisionit?“- “Unë jam pjesë e komisionit por kjo nuk do të thotë që unë i kam dhënë, nuk mund t’i jap para askujt, nuk mund të marr as për veten time”, tha ajo.

Në momentin kur është pyetur për lidhjen e saj familjare me dy personat, emrat e të cilëve tashmë kanë dalë në media, Arifi e ka ndalur telefonin.

Ndryshe, Enkelejda Arifi në zgjedhjet e 2019-ës ishte kandidate e LVV-së për deputete, por nuk arriti të siguronte ulëse në Parlamentin e Kosovës.

No photo description available.

/GazetaSinjali/