image U protestua para MASHTI-t pas ngacmimit seksual të një të miture në afërsi të shkollës

Sociale

U protestua para MASHTI-t pas ngacmimit seksual të një të miture në afërsi të shkollës

news image

Sot u protestua para Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, nga Kolektivi për Mendim Kritik dhe Veprim feminist, pas rastit të ngacmimit seksual ndaj një të miture në afërsi të një shkolle në Prishtinë.

“Ngacmimi seksual nuk ka arsyetim, poshtë patriarkati, largoni ngacmuesit seksual, profesorët e mësimdhënësit”, janë disa prej thirrjeve ne këtë protestë para MASHTI-t”,

Protesta që u paralajmërua të dielën, nisi në orën 12:00, ndërkaq pikë e protestës do të jetë neglizhimi i sigurisë së vajzave dhe mungesa e politikave të mirëfillta të edukimit.

Fjolla Muçaj, organizatore, tha se rasti i fundit që ndodhi në shkollën ‘Faik Konica’, ka treguar edhe një herë realitetin e frikshëm me të cilin rriten vajzat në Kosovë.

Madje sipas saj abuzimi seksual i vajzave në shkolla është çështje urgjente me të cilën duhet të merremi të gjithë.

“Rasti i fundit që ndodhi në shkollën ‘Faik Konica’, ka treguar edhe një herë realitetin e frikshëm me të cilin rriten vajzat në Kosovë. E ky realitet, ku rreziku për abuzime seksuale është i vazhdueshëm, vjen pikërisht për shkak të dështimit shoqëror e institucional për ta trajtuar dhunën ndaj vajzave e grave si problem serioz dhe shqetësim për sigurinë publike. Patriarkaliteti i institucionalizuar është duke ua rrezikuar të drejtën për shkollim e rritje të shëndoshe fëmijëve nëpër shkolla”, u shpreh ajo.

Ajo ka paraqitur edhe kërkesat e tyre e që ishin: Futja e edukatës seksuale në shkolla; Ambiente të sigurta për nxënëset/it dhe Punësimi i punëtoreve/ëve sociale dhe psikologeve/ëve në të gjitha shkollat./Gazeta Sinjali/