Në raportin e fundit për demokracinë, të organizatës amerikane “Freedom House”, ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, janë etiketuar si figura të lidhura me krimin dhe korrupsionin në Kosovë.
“Figura kryesore politike në Kosovë, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, kanë lidhje me krim të organizuar e korrupsion të nivelit të lartë, që kanë rol të madh në politikë dhe ndikojnë në vendosjen e liderëve kyçë”, thuhej në raport.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pak më parë për përmendjen e emrit të tij në kontekst negativ në këtë raport, duke thënë se i siguron qytetarët se si kryeministër, por edhe tani, ka punuar dhe vazhdon të punojë për sundimin e ligjit dhe demokracisë.
“Të dashur qytetarë, u përhap me bujë raporti i Freedom House për demokracinë në Kosovë. Në njërin prej paragrafëve përmendet edhe emri im. Dua t’ju siguroj se edhe si Kryeministër por edhe tash, kam punuar dhe vazhdoj të punoj për sundimin e ligjit dhe demokracinë”, thuhet në reagimin e Haradinaj.
Haradinaj, po ashtu, ka thënë se gjithmonë do të jetë në krye të detyrës, edhe tani kur është në opozitë, duke i evidentuar gabimet e kësaj qeverie.
“Gjithashtu, do të jem në krye të detyrës, që kësaj Qeverie t’i bëjë opozitë duke i treguar popullit për gabimet e saj në qeverisje”, ka shkruar Haradinaj në një postim në Facebook.