image U nisën bashkë në rrugë, por vetëm njëri mbijetoi – humb jetën 69-vjeçarja në vetaksidentin tragjik në autostradën “Ibrahim Rugova”

Siguri

U nisën bashkë në rrugë, por vetëm njëri mbijetoi – humb jetën 69-vjeçarja në vetaksidentin tragjik në autostradën “Ibrahim Rugova”

news image

Një udhëtim i zakonshëm bashkëshortor u shndërrua në tragjedi këtë të diel në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku një grua humbi jetën, ndërsa bashkëshorti i saj po lufton për shëndetin në QKUK.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se aksidenti me fatalitet ka ndodhur më 14 qershor, rreth orës 12:40, në kilometrin 52 të autostradës, në drejtimin Malishevë–Prishtinë.

Sipas hetimeve fillestare, në aksident është përfshirë një automjet BMW, i cili dyshohet se drejtohej nga Hajriz Kelmendi (67-vjeçar). Për arsye që ende nuk janë sqaruar, automjeti është vetaksidentuar.

Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën pasagjerja Miradije Kelmendi (69-vjeçare), e cila, sipas të dhënave zyrtare, ishte bashkëshortja e shoferit. Vdekja e saj është konstatuar nga mjekët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Ndërkohë, drejtuesi i automjetit po vazhdon trajtimin mjekësor në repartin intensiv të QKUK-së.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e trafikut, hetuesit dhe zyrtarët operativë, të cilët kanë nisur ekzaminimin e rrethanave që çuan deri te kjo tragjedi.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, trupi i pajetë i Miradije Kelmendit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Ata ishin nisur së bashku në të njëjtën rrugë. Por udhëtimi i tyre përfundoi në mënyrën më të dhimbshme – me një familje të thyer dhe një humbje që nuk kthehet më.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/