Një person ka përfunduar në vuajtje të dënimit me burg menjëherë pasi ka hyrë në territorin e Kosovës, pasi gjatë kontrollit kufitar ka rezultuar i kërkuar me urdhërarrest nga gjykata.
Burime të besueshme bëjnë të ditur se më 7 qershor 2026, rreth orës 00:35, në Pikën e Kalimit Kufitar në Han të Elezit, zyrtarët policorë kanë ndaluar Haris Hasanbegoviqin, gjatë procedurave të hyrjes në Republikën e Kosovës.
Pas verifikimit në sistemet policore, ka rezultuar se ndaj tij ishte lëshuar urdhërarrest nga Gjykata Themelore në Prishtinë lidhur me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas burimeve, ndaj tij ishte shqiptuar një gjobë prej 300 eurosh, e cila nuk ishte paguar, për çka gjykata kishte vendosur që ajo të zëvendësohej me 15 ditë burgim.
Pas ndalimit, Hasanbegoviqi është dërguar në Qendrën e Paraburgimit, ku do të vuajë dënimin e caktuar nga gjykata.
Rasti është evidentuar si realizim i urdhëresës së gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!