Inspektorati Sanitar i Kosovës ka njoftuar se ende nuk ka dhënë dritën e gjelbër për hapjen e bllokut operativ të Klinikës së Ortopedisë në kuadër të QKUK-së në Prishtinë.
Kryeinspektori Ibrahim Tërshnjaku ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali se deri më tash janë marr parasysh rreth 95 përqind të vërejtjeve të inspektoratit lidhur me kushtet higjieniko- sanitare në këtë institucion shëndetësor.
Sipas tij, kanë mbetur edhe disa punë të vogla të cilat pritet të përfundojnë deri në fillim të javës së ardhshme, përfshirë edhe procedurat e pastrimit dhe dezinfektimit.
“Gati është në përfundim. E kanë bo një renovim të tërësishëm të hapësirave. Sa kam informata është bo edhe një intervenim rreth ventilimit dhe sanimit të të gjitha atyre vërejtjeve që kemi dhënë prej inspektrotatit. Sipas disa fotove, rrënjësisht është bërë përmirësimi i kushteve tekniko- sanitare po presim vetëm sot në qoftë se ka mbaru edhe pjesa e nxemjeve të funksionalizohet. D.m.th janë kah punojnë sipas informatave qe kam dhe besoj që në fillim të javës tjetër mund të fillojë puna në kushte shumë të mira.”, ka thënë kryeinspektori, Ibrahim Tërshnjaku.
Blloku Operativ i Klinikës së Ortopedisë, ishte mbyllur para një muaji, më 4 nëntor Inspektorati Sanitar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë për shkak të mykut e të gjendjes së rëndë higjieniko sanitare dhe në kuadër të masave parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të pacientëve.
Për një muaj pacientët nuk kanë mundur t’i marrin disa nga shërbimet në Klinikën e Ortopedisë në QKUK, për shkak të mbylljes së dy sallave.
Po në këtë klinikë ishin anuluar edhe operacionet joemergjente, duke përfshirë këtu nxjerrjen e materialit osteosintetik, protezat e trajtimet e ligamenteve./Gazeta Sinjali/