Një histori e pazakontë martese ka bërë bujë në rrjetet sociale, pasi një burrë vendosi t’i japë fund lidhjes vetëm disa orë pasi i kishte dhënë betimet bashkëshortes së tij.
Rrëfimi është publikuar nga kushërira e nuses në platformën Reddit, e cila tregoi se çifti ishte njohur që në kolegj dhe për shumë njerëz dukej si një histori perfekte dashurie.
Sipas saj, dasma ishte madhështore, me qindra të ftuar, ndërsa familjet e çiftit ishin të afërta dhe të bindura se ata do të kishin një jetë të lumtur së bashku.
Por gjithçka ndryshoi gjatë udhëtimit për muajin e mjaltit. Teksa çifti ishte në avion, dhëndri dyshohet se i tha nuses vetëm disa orë pas martesës: “Ky ishte një gabim”.
Pas kësaj, ai u tërhoq dhe nuk komunikoi më me të, ndërsa kur arritën në destinacionin e pushimeve, nusja vendosi të kthehej menjëherë në shtëpi.
Një muaj më vonë, burri u kthye duke kërkuar falje, duke pretenduar se nuk ishte gati për martesë dhe se ishte ndier nën presion. Megjithatë, gruaja nuk arriti ta kapërcente mënyrën se si ishte trajtuar dhe çifti përfundoi duke e anuluar martesën.
Sipas rrëfimit, vite më pas ajo ka krijuar një familje të re dhe ka tre fëmijë, ndërsa historia e saj është kthyer në një shembull se edhe marrëdhëniet që duken perfekte nga jashtë mund të fshehin probleme të mëdha.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!