Një rast i zhdukjes së një të miture në Gjakovë ka përfunduar pa pasoja, pasi vajza është kthyer në shtëpi pas rreth një jave dhe ka sqaruar rrethanat e largimit të saj, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se zhdukja ishte raportuar më 1 korrik, kur nëna e saj kishte njoftuar Policinë se vajza ishte larguar nga shtëpia, duke lënë pas një letër të shkruar me dorë, në të cilën kishte njoftuar se po largohej për një periudhë të caktuar dhe se do të ishte e sigurt në vendin ku do të qëndronte.
Sipas denoncimit, familja ishte përpjekur ta kontaktonte përmes rrjeteve sociale, por pa sukses, çka kishte bërë që rasti të trajtohej nga Policia si “Person i zhdukur”, në koordinim me Prokurorin për të Mitur.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se, pas veprimeve hetimore, është konfirmuar se e mitura ishte kthyer në shtëpi më 7 korrik, rreth orës 23:00.
Një ditë më vonë, ajo është paraqitur në stacion policor, ku është intervistuar në prani të një punonjëseje sociale.
Gjatë deklarimit, 16-vjeçarja ka shpjeguar se ishte larguar nga shtëpia pas një mosmarrëveshjeje me nënën, duke thënë se është person me temperament dhe se reagoi nga mllefi pasi asaj i ishin kërkuar llogari nga familja.
Ajo ka deklaruar se gjatë gjithë kohës kishte qëndruar në vende të pabanuara derisa ishte qetësuar, ndërsa kishte mbajtur kontakte me familjarët përmes telefonit, duke i njoftuar se ishte mirë dhe se do të kthehej në shtëpi.
Sipas deklarimit të saj, ajo nuk është keqtrajtuar nga askush, ndërsa gjendja e saj shëndetësore është e mirë.
Për rastin është njoftuar Prokurori për të Mitur, ndërsa procedura është mbyllur në rrugë të rregullt.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!