image U kthye nga Franca me vajzën, përfundon në strehimore pas denoncimit ndaj bashkëshortit për dhunë

Siguri

U kthye nga Franca me vajzën, përfundon në strehimore pas denoncimit ndaj bashkëshortit për dhunë

news image

Një grua nga Vushtrria është detyruar të largohet nga shtëpia së bashku me vajzën e saj 12-vjeçare, pasi denoncoi bashkëshortin për dhunë të vazhdueshme fizike dhe psikike.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se viktima ka raportuar në Polici se prej 13 vitesh martesë ka pasur probleme të vazhdueshme me bashkëshortin e saj, F. Z., rreth 65-vjeçar, për të cilin pretendon se ka ushtruar dhunë ndaj saj ndër vite.

Sipas deklarimit të saj, ajo kishte jetuar në Francë bashkë me vajzën, por pas pamundësisë për të rregulluar qëndrimin ishte kthyer në Vushtrri.

Problemet, sipas saj, janë përshkallëzuar pasi bashkëshorti ishte kthyer nga Franca katër ditë më parë.

Ajo ka deklaruar para Policisë se gjatë ditëve të fundit është përballur me dhunë fizike dhe psikike, duke pretenduar se është goditur me grushte dhe shuplaka në kokë. Kulmi, sipas saj, ndodhi kur bashkëshorti i kërkoi të largohej nga shtëpia.

E frikësuar, gruaja ka kërkuar ndihmën e Policisë.

Sinjali mëson se pas raportimit, njësitet policore kanë nisur kërkimin e të dyshuarit, por deri në momentin e raportimit ai nuk ishte hasur nga autoritetet.

Pas intervistimit nga zyrtarët për dhunë në familje, viktima ka kërkuar Urdhër Mbrojtës dhe strehim emergjent.

Ajo është dërguar bashkë me vajzën e saj 12-vjeçare në Strehimore, ndërsa rasti po trajtohet nga organet kompetente.

Katër ditë pas kthimit të bashkëshortit nga Franca, konflikti përfundoi me ndërhyrje të Policisë, kërkesë për mbrojtje dhe largimin e nënës me vajzën drejt strehimores.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/