Aktivitetet e organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit në vendin tonë janë të ndaluara me ligj dhe përbëjnë vepër penale, por kjo nuk po i ndalon qytetarët që të veprojnë kundërligjshëm, raporton Gazeta Sinjali.
Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në tri lokacione mbrëmë në fshatin Krushë e Madhe në Rahovec, ku si rezultat është arrestuar një person i dyshuar dhe janë sekuestruar para e mjete të tjera.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari është Bujar Bellanica, 37-vjeçar.
Bellanica është kapur me para të gatshme në vlerë të mbi 11 mijë eurove të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale bashkë me dy telefona celularë.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti ‘Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që Bellanicës t’i caktohet masa e ndalimit policor.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.