image U kap me mbi 10 kg drogë në vlerë 450 mijë euro, arrestohet një person nga Komuna e Graçanicës

Siguri

U kap me mbi 10 kg drogë në vlerë 450 mijë euro, arrestohet një person nga Komuna e Graçanicës

news image

Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Për një rast të tillë, në prangat e Policisë ka rënë një person nga Komuna e Graçanicës, raporton Sinjali.

Dje në rrugën Fushë Kosovë – Mitrovicë, Policia ka ndaluar një veturë të dyshuar për trafikim me drogë, ku në bagazh janë gjetur mbi 10 kilogramë substancë narkotike, e cila dyshohet se është e llojit kokainë dhe vlera e saj është 450 mijë euro.

Krejt kjo është zhvilluar në kuadër një operacioni të Policisë së Kosovës, ku po ashtu është kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit në komunën e Graçanicës dhe mes tjerash janë sekuestruar edhe para, një veturë dhe dy telefona.

Ndërkaq, personi i dyshuar Z.J., me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Njoftimi i plotë:

Policia e Kosovës, gjegjësisht, Drejtoria e Hetimit të Trafikimit me Narkotikë, pas angazhimeve operative dhe hetimore në terren dhe në koordinim me institucionet kompetente ligjzbatuese, me datën 21.10.2024, në rrugën magjistrale Fushë Kosovë-Prishtinë, ka ndaluar një veturë të dyshuar për trafikim me substanca narkotike.

Gjatë operacionit policor të koduar “007”, Policia e Kosovës ka ndaluar një veturë të dyshuar me targa vendore, të cilën e drejtonte personi i dyshuar Z. J., shtetas kosovar, ku gjatë kontrollit të veturës së tij, në bagazh janë gjetur 10 kilogramë e 224 gramë, substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me vlerë të tregut 450000 (katërqind e pesëdhjetë mijë euro).

Lidhur me rastin, në koordinim dhe me urdhër të prokurorit kompetent të krimeve të rënda, është kryer bastisje në shtëpinë e personit të dyshuar në komunën e Graçanicës.

Gjatë këtij operacioni policor në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar:

• 10 kilogramë e 224 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë,

• një veturë me targa vendore,

• 1445 (njëmijë e katërqind e katërdhjetë e pesë euro),

• 8970 (tetëmijë e nëntëqind e shtatëdhjetë dinarë),

• dy telefona celularë,

• 17 (shtatëmbëdhjetë kartela grafike për prodhimin e kriptovalutave) të konfiskuara nga Dogana e Republikës së Kosovës.

Në konsultim me prokurorin kujdestar i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe është inicuar rasti për veprën penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve substancave psikotrope dhe analoge’.

/GazetaSinjali/