image U kafshua nga qentë endacakë, një qytetare kërkon 5 mijë euro kompensim nga Komuna e Pejës

Drejtësi

U kafshua nga qentë endacakë, një qytetare kërkon 5 mijë euro kompensim nga Komuna e Pejës

news image

F.S., për shkak të lëndimeve të shkaktuara nga qentë endacakë në rrugë publike, po kërkon nga Komuna e Pejës, kompensimin e dëmit në vlerë prej 5 mijë euro.

Avokatja e Komunës së Pejës, Drita Sopi-Gashi, mendon se për çështjen në fjalë legjitimitet ka AVUK dhe jo Komuna e Pejës, raporton ‘’Betimi për Drejtësi’’.

Fillimisht avokatja e qytetares së sulmuar nga qentë endacakë, Pranvera Zhara, deklaroi se mbetet në tërësi pranë padisë dhe kërkesës së saj dhe se gjatë seancës kishte pranuar raportin informues lidhur me incidentin të cilin e kishte pësuar paditësja ditën kritike nga kafshimi i qenit.

Gjithashtu e njëjta deklaroi se nga pala e paditur kishte pranuar kontratën publike kornizë, e cila ishte e lidhur ndërmjet Agjencisë së Ushqimit të Veterinës, si dhe N.T.Sh. Veterina në Pejë dhe meqenëse sot kishte pranuar një kontratë të tillë, avokatja Zhara kërkoi kohë që ta shqyrtojë kontratën dhe me parashtresë ta njoftojë gjykatën se a do të bën zgjerim të padisë.

Tutje, përfaqësuesja e autorizuar e Komunës së Pejës, Drita Sopi-Gashi, e kundërshtoi padinë dhe kërkesën e saj, sepse sipas saj, të paditurës i mungon legjitimiteti pasiv që të jetë palë në procedurë.

 “Këtë fakt e vërtetojmë me kontratën publike kornizë e cila është e lidhur ndërmjet Agjencisë së Ushqimit të Veterinës, si dhe N.T.Sh. Veterina në Pejë, pra kjo kontratë argumenton se Komuna e Pejës nuk ka legjitimitet por ekskluzivisht legjitimiteti i vjen AVUK-it, i cili agjencion është nën ombrellën e Zyrës së Kryeministrit’’, deklaroi Sopi-Gashi.

Pas kësaj, gjyqtarja e çështjes Merita Baloku, mori vendim që seanca e radhës të caktohet për 22 dhjetor të këtij viti.

Sipas padisë së ushtruar me 13 korrik 2020, paditësja F.S., po kërkon kompensimin e dëmit në vlerë prej 5.000 euro, nga e paditura Komuna e Pejës.

Sipas padisë, në Pejë, në rrugën “Anton Çeta’’, në afërsi të shkollës fillore “Dardania’’, më 30 maj 2020, rreth orës 08:30, derisa paditësja ishte duke ecur nëpër rrugën e asfaltuar, dy qenë endacak, e sulmojnë dhe kafshojnë në pjesë të ndryshme të trupit, e njëjta me ndihmën e kalimtarëve të rastit mezi arrin që t’i largojë qentë.

Në padi thuhet se si pasojë e lëndimeve të pësuara nga kafshimi i qenve në këmbë dhe në krahë, paditësja ishte dërguar në Q.M.F. ‘’Dardania’’, në Pejë, ku mjeku, pas ndërmarrjes së veprimeve përkatëse mjekësore, ka konstatuar se në trupin e paditëses nga kafshimi i qenve i ishin shkaktuar plagë dhe vrragë të theksuara, për çka urgjentisht i është rekomanduar që ta merr serumin kundër helmimit./Gazeta Sinjali/