Gjykata e Durrësit caktoi masën e sigurisë arrest me burg pa afat për Alfred Gjinin, bashkëshorti i 24-vjeçares, Anisa Gjini, e cila u hodh nga ballkoni dhe ndërroi jetë pas konfliktit me të shoqin.
Ai u arrestua dy ditë më parë pasi akuzohet se pas sherrit me bashkëshorten, e ka detyruar të hidhet nga ballkoni i banesën ku për pasojë gjeti vdekjen.
Mediat në Shqipëri bëjnë me dije se ka qenë prokurori, Agron Gjana, i cili ka akuzuar Gjinin se ka shtyer të shoqen për vetëvrasje.
Gjyqtari, Petraq Curri, e ka konsideruar të ligjshëm arrestimin e Gjinit dhe ka vendosur masë sigurie arrestin me burg pa afat.
Ngjarja e rëndë u regjistrua mbrëmjen e së hënës, 6 korrik në qytetin e Durrësit. 24-vjecarja, Anisa Gjini, u hodh nga ballkoni i shtëpisë e për pasojë ndërroi jetë.
Në pranga u vendos bashkëshorti i saj me të cilin kishte pasur një konflikt përpara se ajo të hidhej. Sipas fqinjëve të tyre, çifti kanë një fëmijë të vogël, djalë, i cili tani mbeti jetim pa nënë.
Ndërkohë mësohet se viktima punonte në një fabrikë këpucësh, kurse bashkëshorti i saj në ndërtim. /Gazeta Sinjali/