image U dhunua nga serbët duke qenë shtatzënë, qe një vit e katër muaj duke pritur statusin

Kosovë

Dhimbja/ U dhunua nga serbët duke qenë shtatzënë, qe një vit e katër muaj duke pritur statusin

news image

Mëngjeset e ditëve të verës tash e dy dekada po ia “ngrijnë” shpirtin. Sikur të kishte ndodhur dje. Ajo e ka të freskët ende ditën kur u dhunua nga forcat policore pushtuese serbe. Sa herë që vijnë ditët e verës, kësaj gruaje dhe mijëra të tjera të përvuajtura po iu shtohet edhe më shumë dhimbja. Shteti deri më tani përveç që ka filluar t’ua njoh statusin, ato nuk kanë marrë asnjë lloj ndihme.

Ajo është vetëm një nga 20.000 gra e vajza të reja  që ishin viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Me sy të përlotur, kjo grua mbi të 40-tat ka rrëfyer ankthin e tmerrin që përjetoi korrikun e vitit 1998.

Ajo me disa familjarë të tjerë me veturë ishin nisur të shkonin tek disa të afërm të tyre. Aty kishin rënë në dorën e forcave policore serbe, kur për së gjalli e përjetoi edhe tmerrin.

“Në verën e vitit ’98 ishim bashkë me familje, ishim pesë vajza. Unë isha e martuar dhe me veturë kemi dalë që të shkojmë në familjen tonë. Aty na kanë ndalur edhe na kanë zbritur prej veturës, na kanë dërguar me një vend, me një dhomë. Kemi qenë pesë persona, aty në praninë time i kam parë të gjitha dhunimet që iu kanë ndodhur edhe vajzave të reja. Në përjashtim të tjerave unë kam qenë e martuar, kam qenë shtatzënë, shkaku i asaj ngjarje, shkaku i dhunimit e kam humb edhe foshnjën. Ata i kanë larguar burrat me një anë, ka pasur edhe tjera gra, po ato nuk më kujtohen, vetëm këto që kemi qenë bashkë si familje, ku asnjëra e as tjetra nuk kemi qenë në gjendje ta ndihmojmë njëra-tjetrën, për shkak se aty kanë qenë pesë gjashtë veta, edhe kanë qenë të zot, të mëdhenj”, rrëfen ajo.

Nga aty ajo ishte kthyer në shtëpi në gjendje të rëndë shëndetësore. Duke iu dridhur zëri e duke i lotuar sytë, ajo mundohet të përshkruajë minutat kur u keqtrajtua fizikisht, derisa thotë se asnjërën nga fytyrat e dhunuesve nuk kishte arritur t’i mbaj mend.

Trupi i saj rrëqethët sa herë përpara saj dalin ato skena trishtuese. Madje, në ato kohë ajo po mbante një foshnjë, ku si shkak i dhunimit, e kishte humbur atë.

E pasojat që lufta la në këtë grua janë tejet të mëdha. Ajo ka nevojë për mjekim, e kujdes.

“Kurrë nuk kemi qenë të qeta, kurrë asnjëherë që me qenë e qetësuar, se për një moment të kujtohet diçka prej asaj kohe. Nuk e di që kam qenë ndonjëherë e qetë, e pa stres, e pa ngarkesë se kam qenë psiqikisht e ngarkuar”, thotë ajo.

Për të gjitha këto që i ka përjetuar kishte ditur vetëm bashkëshorti, i cili nuk jeton më. E për shkak të problemeve me rrethin e qytetin, nuk guxon as inicialet t’i publikojë, kujdes ka edhe derisa rrëfen për atë që përjetoi.

Në Kosovë thuhet se janë rreth 20 mijë gra, burra, vajza e djem të ri që ishin viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit. Ata po jetojnë me plagë, këtë sfidë e kanë mbi supet e tyre tash e dy dekada.

Nga shkurti i vitit 2018 prej kur ka filluar punën Komisioni për Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale, kanë aplikuar mbi një mijë persona. Por, ka shumë prej tyre që nuk kanë arritur të gëzojnë këto benificione.

As ky komision nuk i ka shpëtuar kritikave. Ndaj këtij grupi ka ankesa të shumta se po e ngadalëson tepër këtë proces.

“Kam aplikuar që një vit e katër muaj…për mua ka qenë proces i gjatë… pak pritja e gjatë na ka bërë që të mos ndihem e sigurt, jo me u ndje mirë, kanë filluar streset, kanë filluar pagjumësitë, kjo ishte ajo që na mundon më shumë…I kisha lut me punu pak më shumë, pak më shpejt se na humbur edhe durimi, është bërë shumë, qe sa vjet…janë të mundimshme, se ne nuk ishim të qeta as se kur pret diçka nuk të vjen asnjë përgjigje, një muaj të duket shumë, jo me prit një vjet e katër muaj. Unë për vete kohën e fundit nuk jam ndjerë mirë, se ky stresi vetëm me pas një përgjigje, nuk ke mujt me marrë”, rrëfen ajo.

Pritjet e gjata e kishin lodhur shumë, me dhjetëra herë kishte menduar edhe të dorëhiqet, e të mos pranojë fare këtë status. Megjithatë, pas kësaj kohe, ajo ka fituar të drejtën për të gëzuar këtë benificion.

Në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, po vazhdojnë të trajtohen me qindra viktima. E fatkeqësisht ka edhe nga ato që ende nuk marrin guxim t’i drejtohen ndonjë shoqate për të rrëfyer atë që iu ka ndodhur. Krejt kjo për shkak të paragjykimeve që vazhdojnë të bëhen në shoqërinë kosovare sa i përket kësaj kategorie.

Drejtoresha e kësaj qendre, Feride Rushiti thotë për KosovaPress, se ky komision për njohjen e statusit të viktimave po zvarrit rastet.

“Ka të mbijetuar të dhunës seksuale që presin mbi 1 vit çka në vetvete është një lloj ankthi pasi nuk është e lehtë me marr vendimin edhe me nda përvojën tënde traumatike përmes atij aplikacioni dhe me deponu te mekanizmat e shtetit. Shumë gra e kanë të vështirë me marr këtë vendim në familje, e pastaj edhe pritja që po ju stërzgjatet me vjet e muaj të tërë e bën situatën edhe më të rënduar në familje. Edhe shumë herë burrat e vënë në pikëpyetje se çfarë po ndodhë me të, pse është dashur me apliku. Ky mekanizëm është mekanizëm administrativ dhe mendojmë që ku mekanizëm duhet të ketë afate të qarta kohore për një aplikacion. Kështu që e mbijetuara e dhunës seksuale në momentin që aplikon ajo duhet ta di a duhet të pres tre muaj, apo një muaj, apo gjashtë muaj. Ta ketë të qartë kur të hyj në atë proces sa duhet të jetë ajo pritje”, deklaron Rushiti.

Për këtë, kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale, Minire Begaj-Balaj thotë se po kanë presion, derisa thekson se ky proces kërkon kujdes për shkak të ndjeshmërisë.