Një numër i madh i të dyshuarve që kërkohen nga organet e rendit arrijnë ta shijojnë lirinë nga arratia. Plot të akuzuar e të dënuar për vepra të ndryshme penale, që kanë ikur nga duart e drejtësisë, shpallen në kërkim dhe ndaj tyre lëshohen urdhëresa. Një i dënuar për disa vepra penale përfundoi së fundmi në pranga pasi mospagesa e gjobës i kushtoi me burgim, raporton Gazeta Sinjali.
I riu ishte në listën e personave të kërkuar, bazuar në disa urdhëresa aktive të lëshuara ndaj tij për tri vepra penale.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personi që u kap nga Policia në Prishtinë është Djellart Makolli.
Makolli ishte shpallur fajtor dhe dënuar me gjobë për shitblerje e shpërndarje të drogës, për posedim të narkotikëve, si dhe për armëmbajtje pa leje – por kurrë s’e kishte kryer pagesën.
Të njëjtat burime thonë se ndaj Makollit, gjobat janë zëvendësuar me burgim dhe i njëjti është dërguar në njërën nga qendrat korrektuese në vend për ta vuajtur dënimin.
I riu do të qëndrojë në burg për rreth gjashtë muaj, mëson tutje Sinjali.
Ndryshe, kur një person i akuzuar dënohet me gjobë, në aktgjykim shënohet afati kur duhet paguar gjoba dhe mënyra e zëvendësimit të gjobës.