Një tjetër rast i dhunës në familje është regjistruar në Podujevë, ku një grua përfundoi për trajtim mjekësor pasi dyshohet se u sulmua fizikisht nga bashkëshorti i saj.
I dyshuari është arrestuar dhe, me urdhër të Prokurorit, është dërguar në ndalim për 48 orë, mëson Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për I. S. 48-vjeçar ndërsa viktimë është bashkëshortja e tij, N. S. rreth 43-vjeçare
Sipas informacioneve, incidenti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në shtëpinë e tyre në fshatin Dumnicë të Podujevës, pas një mosmarrëveshjeje mes çiftit.
Mëngjesin e së premtes, gruaja është larguar në shtëpinë e prindërve të saj, prej nga ka kërkuar ndihmën e Policisë.
Gjatë intervistimit nga hetuesit për dhunë në familje dhe në prani të përfaqësuesit të Qendrës për Punë Sociale, ajo ka deklaruar se bashkëshorti kishte ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Si pasojë, ajo ka pranuar edhe trajtim mjekësor.
I dyshuari është shoqëruar në Polici dhe është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Me vendim të Prokurorit kujdestar, ndaj I. S. është iniciuar procedurë për veprën penale “Dhunë në familje”, ndërsa i njëjti është dërguar në ndalim për 48 orë. Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!