image U.d. e rektores të UP-së paralajmëron se do ta ndjek ligjërisht Hasanin pas akuzës për "plagjiat"

Arsim

U.d. e rektores të UP-së paralajmëron se do ta ndjek ligjërisht Hasanin pas akuzës për “plagjiat”

news image

Ushtruesja e detyrës së rektorit të Universitetit të Prishtinë, Luljeta Plakolli-Kasumi ka reaguar ndaj deklaratës së ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani i cili e akuzoi Plakollin për “nivel të ulët dhe plagjiat” në punimin e saj për doktoraturë.

Plakolli-Kasumi përmes një reagimi në Facebook tha se mban përgjegjësi morale e akademike mbi punimin e saj të doktoratës. E njëjta tha se është e gatshme të përballet me çfarëdo vlerësimi.

“Mbrëmë Enver Hasani në emisionin Pressing, në mes tjerash, ka deklaruar se tema ime e disertacionit është plagjiaturë. Më lejoni të theksoj me gjithë përgjegjësinë time morale, akademike dhe njerëzore që disertacioni im i doktoraturës është vepër e pastër intelektuale e imja; atë e kam produkt të punës sime shumë-vjeçare. I qëndroj mbrapa çdo shkronje që kam shkruar dhe jam e gatshme të përballem me çfarëdo vlerësimi mbi të”, shkroi ajo.

Po ashtu, ajo thekson se është në përgatitje “të një shkrese për Këshillin e Etikës që të themelojë një komision profesional me profesorë eminent për të vlerësuar kualitetin dhe qëndrueshmërinë e tezave të disertacionit tim të doktoraturës. Pres që një komision i tillë shumë shpejtë të themelohet dhe ta kryejë këtë detyrë”.

Në fund, Plakolli-Kasumi ka paralajmëruar se do të marrë veprime ligjore ndaj Hasanit për akuzën e këtij të fundit.

/GazetaSinjali/