image U caktohet masa e paraburgimit tre të dyshuarve për ngjarjen tragjike në “Bon Vivant”

Drejtësi

U caktohet masa e paraburgimit tre të dyshuarve për ngjarjen tragjike në “Bon Vivant”

news image

Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka caktuar masën prej një muaj paraburgim ndaj tre të dyshuarve në rastin “Bon Vivant”.

Të dyshuar për ngjarjen tragjike janë Andi Pajaziti, Hysni Geci dhe Gzim Zakuti ndërsa i dyshuari tjetër Dukagjin Nikollaj, akoma s’është kapur.

Kjo u konfirmua nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Përleshja e armatosur në lokalin ‘Bon Vivant’ që rezultoi me vrasjen e 39-vjeçarit, Kastriot Ramadani, teksa mbetën të lënduar e të plagosur edhe 17 persona të tjerë, tronditi kryeqytetin natën e 4 gushtit.

Pas tentimit për ta shpëtuar 39-vjeçarin i cili nuk mundi t’i përballojë plagët ku si pasojë dhe vdiq pak orë pas të shtënave, mjekët në Klinikën e Ortopedisë në QKUK janë duke trajtuar akoma një vajzë dhe dy djem, nga gjithsej pesë pacientë që po trajtoheshin në këtë klinikë.

Ndryshe, njëri nga të dyshuarit për përfshirje në incidentin në kafiterinë e Prishtinës “Bon Vivant” mbrëmjen e së premtes mësohet të jetë i kërkuar edhe nga FBI-ja.

I njohur me pseudonimin “Duka”, Dukagjin Nikollaj kërkohet edhe nga FBI-ja për trafikim narkotikësh.

Bazuar në fletëkërkimin e FBI-së, bëhet e ditur se 40-vjeçari ishte i përfshirë në trafikim të marihuanës në periudhën e viteve 2003-2007.

/GazetaSinjali/