Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani, vijon të jetë nën masën e paraburgimit në Maqedoninë e Veriut.
I ndaluar më 17 korrik në pikën kufitare në Jazhnicë me flet-arrest të Serbisë, Ramadani akuzohet për krime te pretenduara lufte në zonën e Nerodimës më 1999.
Për arsye se ndaj Ramadanit nuk ka ndonjë procedurë të hapur në Kosovë, autoritetet në Prishtinë nuk kanë arsye për të kërkuar ekstradimin e tij.
Megjithatë Ministria e Jashtme tha se mbetet e angazhuar përmes ekspertëve juridikë për lirimin e shpejtë të Ramadanit.
Në anën tjetër ekziston frika e ekstradimit të ish-luftëtarit të UÇK-së në Serbi megjithëse kjo duket e vështirë nga raportet që janë mes Shkupit e Prishtinës.
“Gjithçka është e mundur mirëpo unë jam optimist që çfarëdo kërkese eventuale që do të vinte nga ana e autoriteteve serbe në drejtim të autoriteteve maqedonase do të duhet që të refuzohet për faktin në bindjen time pretendimet janë të paqëndrueshme.”
Aktualisht në Serbi po mbahen katër shqiptarë nga Kosova me akuzat për pretendime lufte dhe ka dyshime se ndaj tyre po bëhen padrejtësi.
Pikërisht, kjo mund ta presë edhe Ramadanin në rast se ekstradohet.
“Jemi dëshmitarë se atje mbahen një numër i caktuar i ish-pjesëtarëve të UÇK-së, kushtet dhe trajtimi i tyre sipas informacioneve te familjarëve nuk janë në pajtim me standardet që kërkojnë trajtimin, edhe sigurisht transeferimi eventual i z.Ramadani nuk do të siguronte një procedurë fer dhe transaprente për t’u pastruar me ato akuza të sajuara.”
Ditë më parë në Ferizaj u protestua nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke kërkuar lirimin e Ramadanit.
Ata thanë se deri më tani Ramadani duhej të ishte liruar.
“Arrestimi i Blerimit është vërtetë shqetësues, por besojmë dhe urojmë që Blerimi të lirohet dhe nuk do të ekstradohet, besoj fuqishëm për shkak të rrethanave të ndryshme që mund të shkaktohen pas asaj nëse ndodhë ekstradimi.”
Veteranët e UÇK-së kanë paralajmëruar protesta të tjera nëse Ramadani nuk lirohet nga burgu./A2cnn