image Tym i bardhë nga rezidenca e Titos në Ohër, Borrell: Kemi marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë

Politikë

Tym i bardhë nga rezidenca e Titos në Ohër, Borrell: Kemi marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë

news image

Pas rreth 10 orësh diskutime në tavolinën e negociatave në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ka përfunduar takimi mes kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nën ndërmjetësimin e përfaqësueseve të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, raporton Gazeta Sinjali.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, është deklaruar për media pas përfundimit të takimit, ku ka bërë të ditur se ishte një ditë e gjatë.

“Qëllimi ishte që Kosova dhe Serbia të pajtohen se si ta zbatojnë marrëveshjen në takimin e fundit në Bruksel. Marrëveshja është arritur. Sot ishte se si të zbatohet. Të pajtohemi se si të zbatohet. Na duhen hapa konkretë, praktikë në atë se çfarë duhet të bëjmë, se si dhe kush, sepse shpesh thuhet se djalli fshihet në detaje, andaj na është dashur një agjendë dhe kemi biseduar 12 orë për këtë. Pas 12 orësh kemi një marrëveshje se si t’ia bëjmë. E them që Kosova dhe Serbia janë pajtuar në planin e zbatimit të marrëveshjes së arritur. Palët janë pajtuar që të zbatojnë të gjitha pikat e marrëveshjes në mirëbesim. Ishin negociata të vështira”, ka thënë Borrell.

“Për nenin 7 – Kosova është pajtuar që të fillojë menjëherë, dhe kur them menjëherë, them menjëherë, negocimin për të vendosur aranzhimet dhe përgatitje për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetëmenaxhimit të komunitetit serb”, ka thënë Borrell.

Kujtojmë se ky takim erdhi pas atij të 27 shkurtit në Bruksel, ku siç pati njoftuar Borrell, të dyja palët ishin dakorduar se nuk nevojiten bisedime të mëtejshme për propozimin evropian dhe se kjo është korniza për normalizimin e marrëdhënieve.

Në të njëjtën ditë u publikua teksti i marrëveshjes, i cili përmban 11 nene, e që më së shumti reagime dhe mospajtime pati për nenin 7, si neni që lejon krijimin e Asociacionit në Kosovë.

Vijon…