image Turqi, gjendet një peshore 1600 vjeçare në rajonin e Detit të Zi

Histori

Turqi, gjendet një peshore 1600 vjeçare në rajonin e Detit të Zi

news image

Arkeologët turq kanë zbuluar një peshore të çelikut të vjetër 1.600 vjet gjatë gërmimeve në një qytet antik në afërsi të Detit të Zi.

Qyteti Hadrianopolis në provincën moderne Karabük besohet se është përdorur si një vendbanim në periudhën e vonshme helenistike, romake, si dhe në periudhën e hershme bizantine, shkruan Anadolu Agency, transmeton Gazeta Sinjali.

Arkeologu i Universitetit të Karabük-ut, Ersin Çelikbaş, i cili mbikëqyr gërmimet në këtë lokalitet, për Anadolu Agency (AA), ka thwnw se gërmimet e sivjetme janë fokusuar në zbulimin e një strukture në formë të katrorit.

Peshorja e çelikut, e përdorur si kundërpeshë gjatë baraspeshimit, u zbulua në strukturën katrore, e cila gjatë gërmimeve u zbulua 50 metra në jug të një kishe të lashtë.

Çelikbaş tha se gjatë gërmimeve gjithashtu u zbuluan edhe maje të shigjetave dhe maska.

Ai tha se peshorja është në formë disku, ndërsa në mbishkrimin në të thuhet: “Theodoros, zyrtari përgjegjës i thesarit perandorak”, një mbishkrim që u tregon shkencëtarëve shumëçka për objektin e gjetur.

– “Përgjegjës i thesarit perandorak”

Sipas arkeologut Çelikbaş, të qënit “përgjegjës i thesarit perandorak” nënkupton qendrën e Perandorisë Bizantine, respektivisht Stambollin, të njohur më parë si Kostandinopojë, para se qyteti të merrej nga osmanët në vitin 1453.

“Nga peshorja që kemi, mund të themi se kishte një rrjet të rëndësishëm tregtar në Hadrianopolis”, tha ai, duke shtuar: “Këto janë të dhëna të rëndësishme që vërtetojnë se këtu ishin furnizuar elemente tregtare nga kryeqyteti i perandorisë. Peshorja që ne kemi daton nga shekulli i katër i Erës Sonë, që nënkupton 1.600 vjet më parë”.

Gërmimet në Hadrianopolis gjatë vitit të fundit kanë zbuluar struktura të ndryshme, siç janë: Dy banja, kisha, një strukturë mbrojtëse, varre, një amfiteatër, një strukturë me hark dhe kube, një kamare monumentale e kultit, mure të qytetit, pallate, si dhe ndërtesa tjera monumentale.

Qyteti antik është i famshëm për mozaikët në dyshemetë e kishave, ku janë shfaqur lumenjtë biblikë: Pison; Gihon; Tigris; dhe Eufrati; si dhe shumë kafshë, siç janë kuajt, elefantët, panterat, drerët, por edhe krijesa legjendare grifin, me krye të shqiponjës dhe trup të luanit.

Çelikbaş, thotë se çdo objekt i luajtshëm që gjendet në qytetin ku bëhen gërmimet dërgohet në muzetë në provincat përreth, ndërsa ata edhe vendosen në katalogë dhe ruhen./GazetaSinjali/