Punimet në tunelin në zonën e njohur si “Kurrizi” në lagjen Dardania janë drejt përfundimit.
Nga pamjet e fundit në terren, të cilat i ka siguruar Gazeta Sinjali, dallohet se infrastruktura kryesore është pothuajse e kompletuar, përfshirë rrugën, trotuaret dhe instalimet ndriçuese.
Tuneli pritet të shërbejë si një lidhje moderne e brendshme që lehtëson qarkullimin në këtë zonë të ngarkuar urbane, si dhe të kontribuojë në zhvillimin estetik dhe funksional të hapësirës publike.
Në të njëjtën kohë, janë vërejtur elemente të dizajnuara për qarkullim të sigurt të këmbësorëve dhe biçikletave.
Ky projekt është pjesë e investimeve që Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë në përmirësimin e infrastrukturës në lagjet më të populluara të kryeqytetit.
Banorët e zonës kanë pritur me interes përfundimin e tij, duke e parë si një hap të rëndësishëm drejt rritjes së cilësisë së jetës në lagje.
Zyrtarët komunalë ende nuk kanë dhënë një datë zyrtare për hapjen e plotë të tunelit, por pritet që ai të vihet në funksion së shpejti.
Punimet në tunel para disa javësh i ka parë edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Kjo është Prishtina që po ndërtohet me përkushtim nga LDK. Me vizion dhe insistim pavarësisht secilës pengesë. Me Përparimin si Kryetar, me Sokolin e Gëzimin e të tjerë plot në shërbim të qyterarëve, qytetit e vendit”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!