image Trumpi zotohet të mbaj qëndrim mbi tarifat pavarësisht reagimeve globale

Botë

Trumpi zotohet të mbaj qëndrim mbi tarifat pavarësisht reagimeve globale

news image

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka vazhduar të mbrojë politikat e tij tarifore, të cilat kanë shkaktuar pasiguri dhe tronditje në tregjet globale. Trump theksoi se masat tarifore janë të nevojshme për të “rregulluar” ekonominë dhe se ky është një hap i nevojshëm për të rikthyer investimet dhe punët në Shtetet e Bashkuara, duke i dhënë mundësinë vendit të bëhet “më i pasur se kurrë më parë”, shkruan Gazeta Sinjali.

Komentet e tij erdhën para një rënieje dramatike të tregjeve në Azi të hënën në mëngjes, ku indeksi Nikkei 225 i Japonisë ra me 6.3%, ndërsa Hang Seng i Hong Kongut u tkurr me 9.8%. Tregjet financiare në SHBA gjithashtu shënuan një javë të vështirë, me indeksin S&P 500 që ra me rreth 6% në fundjavë.

JP Morgan, bankë amerikane gjigante, ka parashikuar një mundësi 60% për recesion global pas vendimit të Trump për të vendosur tarifa të reja, një shqetësim i cili është përballur me kundërshtime nga zyrtarët e administratës Trump, të cilët e kanë quajtur këtë situatë si një “proces përshtatjeje”.

Sekretari i Thesarit, Scott Bessent ka njoftuar se më shumë se 50 shtete kanë kërkuar bisedime për të ulur barrierat tregtare dhe për të shmangur pasojat negative të politikave tarifore. Ai shtoi se shumë shtete janë të interesuara për të arritur një marrëveshje që do të ndihmonte për stabilizimin e tregjeve.

Nga ana tjetër, Sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, konfirmoi se tarifa e re prej 10% do të qëndrojë për “ditë dhe javë”, ndërsa tarifat më të larta për vendet që janë konsideruar “shkelësit më të mëdhenj” do të hyjnë në fuqi më 9 prill. Lutnick gjithashtu e mbrojti vendimin e SHBA-së për të vendosur tarifa ndaj territoreve të vogla të banuara në Antarktik, duke shpjeguar se ishte një masë për të parandaluar abuzimet ligjore të përdorura nga Kina për transportin e mallrave.

Kina ka reaguar me një njoftim për një tarifë 34% ndaj të gjitha importeve amerikane, e cila do të hyjë në fuqi më 10 prill. Në të njëjtën kohë, disa shtete si Indonezia dhe Tajvani kanë refuzuar të vendosin tarifa hakmarrëse ndaj politikave tarifore të SHBA-së. Lideri i Vietnamit, To Lam, ka kërkuar nga Trump të shtyjë një tarifë të re prej 46% ndaj eksporteve vietnameze për një periudhë 45 ditore, për të mundësuar një periudhë bisedimesh për arritjen e një marrëveshjeje.

/GazetaSinjali/