Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë përgjegjës Iranin për rrëzimin e helikopterit të ushtrisë amerikane pranë Ngushticës së Hormuzit, në orët e para të së martës.
Trump ka thënë se iranianët e rrëzuan helikopterin shumë të sofistikuar Apache.
“Sapo jam informuar nga Ushtria jonë e Madhe se mbrëmë iranianët rrëzuan një nga helikopterët tanë shumë të sofistikuar Apache ndërsa patrullonin mbi Ngushticën e Hormuzit. Ishin dy pilotë të përfshirë, të dy janë shëndoshë e mirë dhe të palënduar”, ka shkruar Trump në Truth Social.
Ai është zotuar më pas se SHBA-ja do t’i përgjigjet këtij sulmi.
Ushtria amerikane ka njoftuar të martën se një anije pa ekuipazh ka shpëtuar pilotët e helikopterit sulmues të ushtrisë amerikane që është rrëzuar herët të martën pranë Ngushticës së Hormuzit, rrugës strategjike ujore që Irani e ka mbyllur prej që ka nisur lufta.
Anija pa ekuipazh, 24 metra e gjatë, i ka gjetur dy aviatorët dhe i ka nxjerrë në breg pasi ata kishin kaluar rreth dy orë në ujë, ka thënë Kapiten Tim Hawkins, zëdhënës i Komandës Qendrore Amerikane.
Rrëzimi ka ndodhur rreth orës 3:30 të mëngjesit sipas orës lokale të martën pranë brigjeve të Omanit, ndërsa helikopteri ishte duke patrulluar, ka thënë Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!