Presidenti Donald Trump tha se nuk planifikon të tërheqë afërsisht 50,000 trupat e përfshira në luftën e Iranit derisa “të kemi një përfundim” në vend.
“Nuk i konsideroj (trupat) në rrezik”, i tha Trump moderatores së “Meet the Press”, Kristen Welker, gjatë një interviste të gjerë të regjistruar të premten dhe të publikuar të dielën.
“Ne kemi mbrojtjen më të mirë që dikush ka parë ndonjëherë. Ne kemi sulmin më të mirë që dikush ka parë ndonjëherë. Kështu që nuk e konsideroj rrezik”, shtoi ai.
“Do të thosha se do të ishte e pamatur ta bënim këtë sepse ndoshta mund t’i përdorim”, theksoi ndër tjera presidenti amerikan.
Gjatë intervistës, Trump krahasoi numrin e viktimave në operacionin e Iranit me luftën e SHBA-së në Vietnam, gjatë së cilës SHBA-të humbën më shumë se 58,000 trupa.
“Kemi humbur 13 persona këtu dhe kjo është shumë. Trembëdhjetë persona, shumë”, tha Trump.
“Por, nëse shikoni Vietnamin, ku u vranë qindra mijëra njerëz, nëse shikoni ndonjë nga shtatë ose tetë luftërat e fundit ku u vranë shumë, shumë njerëz, ne humbëm 13. Dhe përsëri, 13 janë shumë. Nuk dua të humbas asnjë. Por 13 është më pak nga sa ka imagjinuar ndonjëherë kushdo. Mendoj se po bëjmë një punë të shkëlqyer”, shtoi ai.
13 ushtarë amerikanë janë vrarë në lidhje me konfliktin. Gjashtë ushtarë u vranë më 1 mars pas një sulmi iranian në portin Shuaiba të Kuvajtit.
Një ushtarak vdiq më 8 mars pas një sulmi nga Irani në Bazën Ajrore Prince Sultan në Arabinë Saudite dhe gjashtë ushtarë vdiqën më 12 mars kur një aeroplan furnizimi me karburant KC-135 Stratotanker i Forcave Ajrore Amerikane u rrëzua në Irakun perëndimor.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!